Brigitte Bardot ishte një bukuri e rrallë - Karl Lagerfeld e quajti “ikonën më të madhe të modës të të gjitha kohërave”

Është e vërtetë që rolet filmike ia hapën dyert e famës, por ishte bukuria e saj unike, sharmi natyral dhe qëndrimi rebel që bënë që ato dyer të mbeteshin të hapura deri në fund të jetës së saj Nuk është sekret se Brigitte Bardot ishte një nga muzat e preferuara në qarqet e modës. Me qëndrimin e saj të lirë, shpesh sfidues, dhe me vështrimin e butë por magnetik, ajo mbushte vazhdimisht kopertinat e revistave më prestigjioze të modës në botë. Edhe pse kinemaja e ngriti në piedestalin e yjeve, ishte stili i saj personal që e shndërroi në ikonë të përjetshme. Bukuria e saj nuk ishte e ndërtuar mbi teprinë, por mbi natyrshmërinë, spontanitetin dhe një sensualitet të pashfaqur artificialisht, elemente që e bënë të pavdekshme në imagjinatën kolektive. “Ikona më e madhe e modës e të gjitha kohërave” Ish-drejtori kreativ i shtëpisë së modës Karl Lagerfeld , i cili për dekada drejtoi estetikën e Chanel , ka deklaruar një herë se Brigitte Bardot ishte “ikona më e madhe e modës e të gjitha kohërave” – një vlerësim që rrallë i është dhënë ndonjë figure femërore. Dhe kjo nuk ishte rastësi. Fryma e saj rinore, lëvizjet joshëse dhe natyrshmëria në paraqitje lanë gjurmë të thella jo vetëm në modë dhe film, por edhe në mënyrën se si u perceptua feminiteti modern. Pikërisht përmes saj u kristalizua ideja e elegancës franceze: e çlirët, e lehtë, e paimponuar, por thellësisht tërheqëse, transmeton Telegrafi. Një stil që u kthye në simbol Brigitte Bardot ishte shumë më tepër sesa një grua simpatike - ajo ishte një ikonë mode . Këtë e dëshmonte mënyra se si vishte aksesorët e flokëve, shamitë dhe kapelet, si dhe grimi i theksuar i syve me vijëzim të errët, që u bë shenja e saj dalluese. Madje, edhe prerja e famshme që nxjerr në pah shpatullat dhe qafën, mori emrin “dekolte Bardot”, një term që përdoret edhe sot në botën e modës. E paharrueshme mbetet kopertina e revistës ELLE nga viti 1953, ku ajo shfaqej me një fustan rozë me motive katrorësh dhe me dekoltenë karakteristike “Bardot”. Ky model, me katrorë të vegjël, vazhdon edhe sot të jetë ndër më të preferuarit në garderobën e grave. Elegancë e thjeshtë dhe rebelim i butë Përveç veshjeve ikonike, Brigitte Bardot preferonte kombinime të thjeshta dhe të relaksuara që rrezatonin elegancë të pastër. Pantallona, bluzë e bardhë dhe këpucë të sheshta, një formulë që më vonë u shndërrua në bazë të modës moderne urbane dhe ndikoi drejtpërdrejt në trendet botërore. Një tjetër element dallues ishte minifundi , i cili u bë nënshkrimi i saj personal. Me minifundet, Bardot pushtoi botën e modës, duke reflektuar shpirtin e saj rebel, guximin për të thyer norma dhe ecjen e saj joshëse që sfidonte konvencionet e kohës. Në përmbledhje, Brigitte Bardot nuk ishte thjesht një yll i ekranit - ajo ishte një fenomen kulturor. Një grua që pa e ndjekur modën, e krijoi atë. Dhe pikërisht për këtë arsye, ajo mbetet edhe sot një pikë referimi për stilin, elegancën dhe lirinë femërore. /Telegrafi/