Policia e Kosovës ka arrestuar sot Millosh Steviq, nën dyshimet për ushtrim të ndikimit, presionit dhe orientimit të votës përmes detyrimit dhe shantazhit. Burime të KosovaPress-it brenda Policisë së Kosovës kanë bërë të ditur se Steviq është shoqëruar në stacionin policor në Graçanicë, ku aktualisht po intervistohet në lidhje me këto dyshime. Sipas të njëjtave burime, rasti lidhet me përpjekje për të ndikuar në vullnetin e qytetarëve gjatë procesit zgjedhor, përmes presionit dhe shantazhit. Po ashtu, thuhet se Steviq është i afërt me kryetarin e Komunës së Graçanicës, Novak Ziviq. Gjatë aksionit, Policia e Kosovës ka sekuestruar edhe një fletore me shënime, ku sipas burimeve përmbahen emra kandidatësh të Listës Serbe. KosovaPress ka siguruar edhe fotografinë e fletorës së sekuestruar. Atij i janë gjetur edhe para, të gjitha në kartëmonedha 20-she dhe 50-she. Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë dhe se ndaj të dyshuarit priten veprime të mëtejme procedurale në koordinim me organet e drejtësisë.