Koalicioni VLEN ka akuzuar sërish Bashkimin Demokratik për Integrim për deklarata jo të vërteta dhe tendencioze. “Edhe PR-trukun e “referendumit”, që e përdori si mashtrim, realiteti ia përplasi për fytyrë me dhjetë komuna të humbura. Më herët bërtiste për “deshqiptarizim”. Jo sepse i dhimbeshin shqiptarët, por sepse humbi kontrollin mbi institucionet. BDI nuk ka pasur hallin e shqiptarëve. Gjithmonë e ka pasur hallin si t’i mbajë institucionet peng për veten dhe për klikën e saj. Raporti zyrtar për vitin 2024 ua mbyll gojën edhe një herë”, thonë nga VLEN. Sipas tyre, përfaqësimi i shqiptarëve jo që nuk ka rënë, por është rritur nga 21.7 përqind në vitin kur ata ishin në pushtet, në 22.3 përqind tani kur VLEN është në Qeveri. “Faktet e zhveshin BDI-në lakuriq. Paniku ishte i rremë, ndërsa narativa ishte propagandë e ulët. Kur BDI humbi pushtetin mbi institucionet, filloi të shesë gënjeshtrën se po humbnin shqiptarët. Kjo ishte mashtrimi më i madh. E vërteta është kjo. BDI kishte hallin si t’i frikësonte shqiptarët, si t’i mbante vazhdimisht të tensionuar, si t’i manipulonte emocionalisht dhe si t’i përdorte si mburojë për pazaret dhe aferat e veta. Me VLEN në qeveri ky cikël po merr fund. Për herë të parë pas 23 vitesh po sjellim Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, i cili do të vlejë për çdo institucion në këtë shtet, edhe për ato institucione ku deri më sot, “falë” balancuesit, shqiptarët nuk kishin qasje. Një ligj i qartë, i detyrueshëm, i mbikëqyrshëm dhe i pakapshëm për pazare politike”, shtojnë nga VLEN.