Studimi i ri shkencor analizon efektet reale, rreziqet e fshehura dhe arsyen pse përfitimi shpesh mbetet minimal Tramadoli, një nga barnat më shpesh të përshkruara për dhimbjen kronike, prej vitesh është konsideruar si një alternativë “më e sigurt” mes opioidëve. Megjithatë, një studim i ri dhe i gjerë tregon se ky reputacion nuk është plotësisht i merituar. Edhe pse tramadoli mund ta lehtësojë dhimbjen kronike në një masë të vogël, efekti shpesh është aq i kufizuar sa shumë pacientë mezi e vërejnë ndonjë përmirësim në jetën e përditshme. Në të njëjtën kohë, rreziku për efekte anësore serioze, veçanërisht ato që lidhen me zemrën – rritet ndjeshëm. Këto përfundime vijnë nga një analizë e madhe e studimeve klinike, e publikuar në revistën shkencore BMJ Evidence Based Medicine . Mesazhi i autorëve është i qartë: për shumicën e pacientëve, dëmi i mundshëm nga ky ilaç ka gjasa të tejkalojë përfitimin e tij të kufizuar. Pse përdoret kaq shpesh tramadoli Tramadoli është një opioid me të ashtuquajturin veprim të dyfishtë , dhe mjekët e përshkruajnë shpesh për dhimbje akute dhe kronike të intensitetit mesatar deri të fortë. Pikërisht për këtë arsye, ai është përfshirë në shumë udhëzime klinike për trajtimin e dhimbjes. Gjatë viteve të fundit, numri i recetave për tramadol është rritur ndjeshëm, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara, ku është shndërruar në një nga opioidët më të përdorur. Sipas studiuesve, arsyeja kryesore është bindja e përhapur se tramadoli është më i sigurt, shkakton më pak efekte anësore dhe ka rrezik më të ulët varësie krahasuar me opioidët e tjerë me veprim të shkurtër, transmeton Telegrafi. Çfarë mungonte deri tani në kërkime Megjithëse tramadoli është studiuar edhe më parë, asnjë analizë e mëparshme nuk kishte shqyrtuar njëkohësisht efikasitetin dhe sigurinë e tij për lloje të ndryshme të dhimbjes kronike. Si pasojë, shumë pyetje të rëndësishme kishin mbetur pa përgjigje të qarta. Për ta mbushur këtë boshllëk, autorët analizuan studime klinike të randomizuara, të publikuara deri në shkurt të vitit 2025, ku tramadoli ishte krahasuar me placebo te pacientë me dhimbje kronike, përfshirë edhe dhimbjen e lidhur me sëmundje malinje. telegrafi.com Kush mori pjesë në studime Analiza përfshiu 19 studime klinike me gjithsej 6.506 pjesëmarrës . Pesë studime u fokusuan në dhimbjen neuropatike, nëntë në osteoartrit, katër në dhimbjen kronike të shpinës së poshtme, ndërsa një studim përfshinte pacientë me fibromialgji. Mosha mesatare e pjesëmarrësve ishte 58 vjeç . Në shumicën e studimeve, tramadoli u administrua në formë tabletash, ndërsa vetëm një studim shqyrtoi përdorimin lokal në formë kremi. Kohëzgjatja e trajtimit varionte nga dy deri në 16 javë , me ndjekje të pacientëve deri në 15 javë. Lehtësim minimal, rrezik i madh Kur u bashkuan të gjitha rezultatet, u vu re se tramadoli vërtet e ul intensitetin e dhimbjes, por vetëm në një masë shumë të vogël. Ky ulje nuk e arriti pragun që në mjekësi konsiderohet klinikisht i rëndësishëm , pra i mjaftueshëm për të përmirësuar ndjeshëm funksionimin e përditshëm të pacientit. Në të njëjtën kohë, tetë studime që monitoruan efektet anësore serioze treguan se rreziku për probleme të rënda shëndetësore te pacientët që merrnin tramadol ishte pothuajse dy herë më i lartë krahasuar me ata që merrnin placebo. Më të shpeshtat ishin problemet kardiake, si dhimbjet në gjoks, sëmundja koronare e zemrës dhe dështimi i zemrës. U vu re gjithashtu një rritje e rrezikut për disa lloje kanceri, por studiuesit theksojnë se për shkak të periudhës së shkurtër të ndjekjes, ky rezultat duhet interpretuar me kujdes dhe kërkon studime shtesë. Efekte anësore të shpeshta dhe kufizime të studimeve Përveç komplikimeve serioze, tramadoli u shoqërua edhe me efekte anësore më të lehta, por të shpeshta, si të përziera, marramendje, kapsllëk dhe përgjumje. Autorët theksojnë se shumë nga rezultatet e analizuara kishin rrezik të lartë paragjykimi , çka do të thotë se përfitimet e tramadolit ka gjasa të jenë mbivlerësuar, ndërsa dëmet e tij të jenë nënvlerësuar. Pamja më e gjerë e problemit me opioidët Studiuesit rikujtojnë se gjetjet e tyre përputhen me një problem shumë më të gjerë global të lidhur me abuzimin e opioidëve. Vlerësohet se rreth 60 milionë njerëz në mbarë botën kanë probleme me varësinë nga këto barna. Vetëm në vitin 2019, përdorimi i drogave u lidh me rreth 600.000 vdekje , nga të cilat pothuajse 80 për qind ishin të lidhura me opioidët. Në Shtetet e Bashkuara, numri i vdekjeve nga mbidozimi me opioidë u rrit nga rreth 50.000 në vitin 2019 në më shumë se 81.000 në vitin 2022 . Për këto arsye, autorët theksojnë se përdorimi i tramadolit, ashtu si i të gjithë opioidëve, duhet të kufizohet në minimumin e domosdoshëm. Çfarë do të thotë kjo për pacientët Sipas përfundimit të studimit, tramadoli ka vetëm një efekt të lehtë në uljen e dhimbjes kronike, ndërkohë që rrit rrezikun për efekte anësore serioze dhe të lehta. Kur të gjitha këto peshohen së bashku, dëmi i mundshëm shpesh tejkalon përfitimin e kufizuar . Për pacientët, kjo nënkupton se është thelbësore të bisedojnë hapur me mjekun për pritshmëritë reale nga terapia, rreziqet e mundshme dhe alternativat e tjera për trajtimin e dhimbjes kronike, veçanërisht kur bëhet fjalë për përdorimin afatgjatë të barnave opioidë. /Telegrafi/