Real Madridit i ofrohet shansi për të nënshkruar me yllin e Al Hilalit

Gjigantit të La Ligës, Real Madrid i është ofruar mundësia për të transferuar një mesfushor nga skuadra saudite Al-Hilal për sezonin e ardhshëm. Kjo vjen në një kohë kur është mësuar se Ruben Neves po synon një rikthim në kryeqytetin spanjoll, duke pasur dëshirë të largohet nga futbolli arab dhe të rikthehet në skenën kryesore të futbollit në Evropë. Mesfushori portugez aktualisht ka kontratë me Al-Hilal deri në verën e vitit 2026, por e ardhmja e tij duket gjithnjë e më e paqartë, teksa afati i marrëveshjes po shkon drejt fundit. Drejtuesit e klubit saudit i kanë vendosur në tavolinë një ofertë rinovimi, megjithatë Neves nuk duket i bindur për të vazhduar aventurën e tij në Arabinë Saudite. Sipas raportimeve, 28-vjeçari e ka të qartë synimin për t’u rikthyer në Evropë dhe beson se ende ka nivelin dhe përvojën e nevojshme për të qenë pjesë e një prej klubeve më të mëdha të kontinentit. Pikërisht për këtë arsye, ai është i gatshëm të shqyrtojë vetëm projekte të nivelit më të lartë. Sipas një raporti të “Diario AS”, përfaqësuesit e Ruben Neves ia kanë ofruar atë Real Madridit, duke shpresuar se mesfushori mund të përshtatet në projektin sportiv të klubit mbretëror. Megjithatë, Florentino Perez dhe stafi drejtues e kanë refuzuar këtë mundësi, duke mos e konsideruar Neves si një profil të domosdoshëm për skuadrën e ndërtuar nën drejtimin e Xabi Alonso. Në këtë mënyrë, edhe pse dëshira e lojtarit për t’u rikthyer në Evropë mbetet e fortë, Real Madridi nuk duket se do të jetë destinacioni i tij i radhës, të paktën për momentin./ Telegrafi