Mesfushori Toni Kroos ka kërkuar që Real Madridi t’i japë kohë Xabi Alonsos, duke shprehur mirëkuptim për situatën e tij dhe duke theksuar se në klubin mbretëror “askush nuk është i kënaqur”, madje as kur skuadra fiton. Xabi Alonso ka pasur një fillim të trazuar në krye të Real Madridit, me ekipin që ndodhet në vendin e dytë në La Liga në pushimin dimëror, katër pikë pas Barcelonës. Trajneri spanjoll e mori drejtimin e skuadrës para Botërorit të Klubeve, ku Reali arriti deri në gjysmëfinale, por u eliminua nga Paris Saint-Germain. Në kampionat, pas gjashtë fitoreve radhazi në start, “Los Blancos” pësuan rënie në vazhdimësi, duke regjistruar formë të paqëndrueshme në 12 ndeshjet pasuese, me shtatë fitore, tri barazime dhe dy humbje. Ka pasur edhe raportime për tensione mes Alonsos dhe disa lojtarëve, veçanërisht me Vinicius Junior, situatë që sipas burimeve duket se është qetësuar. Megjithatë, Toni Kroos mbetet i bindur se Xabi Alonso është njeriu i duhur për të udhëhequr Real Madridin në të ardhmen. “Gjëja më e vështirë për një trajner është të menaxhojë në Madrid. Është një lloj tjetër presioni. Këtu mund të fitosh ndeshje dhe prapë askush nuk është i kënaqur. Ka shumë pak klube të tilla”. “Edhe kur barazon ose humbet, siç ka ndodhur së fundmi, reagimet janë ndryshe, sepse klubi nuk është mësuar me këtë dhe kritikat shtohen”. “Gjithmonë të duhen rezultate, por unë jam i bindur se Xabi është një trajner shumë i mirë dhe ka cilësinë për ta menaxhuar Real Madridin; thjesht duhet t’i jepet kohë”. “Por të gjithë e dimë se çfarë do të thotë Real Madridi, mbi të gjitha e di vetë Xabi, dhe ai e dinte çfarë mund të ndodhte para se të firmoste”, deklaroi ai. Real Madridi rikthehet në aksion në La Liga më 4 janar, kur do të përballet me Real Betisin. Aktualisht, Real Madridi konsiderohet favoriti i dytë për titull, me vetëm 19.5 për qind gjasa sipas superkompjuterit të Opta-s, ndërsa Barcelona kryeson bindshëm me 76.8 për qind. Në Ligën e Kampionëve, madrilenët gjenden në zonën e kualifikimit direkt në një tabelë shumë të ngjeshur, por presioni mbi Alonson është rritur ndjeshëm, pavarësisht një përqindjeje fitoreje prej 71 për qind, për shkak të mungesës së stabilitetit në të gjitha garat./ Telegrafi