Një portret profesional dhe estetik i një zëri televiziv që bashkon kulturën, elegancën dhe autenticitetin, shoqëruar me foto të punuara enkas për këtë intervistë nga fotografi i njohur Arton Humolli Në një kohë kur mediat shpesh vrapojnë pas sensacionit, Kadrie Canolli mbetet shembull i një pranie të përmbajtur, por plot dritë. E diplomuar në Komunikim Masiv dhe Gazetari, ajo është një nga figurat më të spikatura të ekranit në TV Dukagjini, ku moderon emisionin “Dueli Sportiv”, një arenë debatesh ku përballen ide, pasione dhe personalitete nga bota e sportit. E njohur për elegancën, kulturën dhe finesën e komunikimit, Kadria ndërton një prani televizive që gërsheton profesionalizmin me feminitetin, seriozitetin me buzëqeshjen dhe qetësinë me energjinë e hareshme. Kadrie Canolli mbetet shembull i balancës mes formës dhe përmbajtjes. Në një televizion ku shpejtësia shpesh mbizotëron mbi mendimin, ajo rikthen vlerat e komunikimit të qetë, të matur dhe inteligjent. Në këtë intervistë për Telegrafi.com, ajo flet për profesionalizmin në media, modën si formë komunikimi, feminitetin e ndjeshëm por të fortë dhe sekretet e saj jashtë kamerës. Kadrie Canolli, Foto: Arton Humolli Nga arti në gazetari Kadrie, vjen nga arti i skenës, por je formuar profesionalisht në gazetari. Si ndërthuren sot ndjeshmëria artistike dhe disiplina gazetareske në mënyrën se si komunikon me publikun? Arti më ka mësuar ta ndiej publikun, ndërsa gazetaria më ka mësuar ta dëgjoj. Në skenë kam mësuar si të shpreh emocionin, ndërsa në moderim, si ta përçoj me maturi. Në fakt, këto dy botë janë si dy hemisfera të së njëjtës ndërgjegje: njëra ndien, tjetra artikulon. Në moderim televiziv, sa të ndihmon formimi yt artistik për ta ndjerë ritmin, emocionin dhe gjuhën e pashprehur të debatit? Shumë. Gazetaria kërkon logjikë dhe vëmendje ndaj fjalës; arti i skenës kërkon ndjeshmëri ndaj gjuhës së trupit dhe ndjenjës. Së bashku, të dyja më ndihmojnë ta ruaj ekuilibrin midis mendimit dhe emocionit, midis profesionalizmit dhe njerëzores. “Dueli Sportiv” – arena e pasioneve dhe e mendimit Emisioni që udhëheq “Dueli Sportiv” është një arenë përplasjesh idesh dhe pasionesh. Si arrin të ruash qetësinë dhe elegancën përballë diskutimeve të nxehta? Qetësia nuk është mungesë reagimi, është mënyra më e fortë për të kontrolluar dinamikën. Në emision ndodh që debatet të nxehen, por detyra ime nuk është të inskenoj qetësi, por ta transmetoj atë. E kam mësuar se moderatori i mirë nuk e fiton përplasjen, ai e mban atë në balancë. Në një emision ku pasioni shpesh kalon në debat të zjarrtë, ndodh që ndonjë mysafir të të vërë në situata të sikletshme? Si e menaxhon? Sigurisht që po. Por nuk e lejoj të më kthehet në duel personal. Më pëlqen t’i kthej situatat e tensionuara në momente të qeshura, pa humbur thelbin profesional. Në fund të ditës, është sport, jo gjyq dhe detyra ime është të ruaj frymën e respektit. Si e ndien raportin me mysafirët, veçanërisht kur përballë ke figura të forta, shpesh me ego të mëdha publike? Egoja është pjesë e suksesit, por kur bie në përplasje me argumentin, duhet menaxhuar. Sekreti është të dëgjosh me respekt, edhe kur nuk pajtohesh. Mysafirët më respektojnë pikërisht sepse unë nuk garoj me ta – unë krijoj hapësirë për dialog. “Dueli Sportiv” ka fituar audiencë të gjerë. Si e shpjegon këtë sukses dhe a mbetet sporti ende një mënyrë për të folur për shoqërinë? Sporti është pasqyrë e karakterit kolektiv. Përmes tij, kupton disiplinën, ndershmërinë dhe pasionin. “Dueli Sportiv” nuk është vetëm për rezultate, është për njerëzit që i japin kuptim sportit. Ne flasim për fitore, por edhe për mund, sakrificë dhe respekt. Kjo është arsyeja pse publiku e ndien si të vetin. Kadrie Canolli, Foto: Arton Humolli Moda, imazhi dhe eleganca e natyrshme Përveç televizionit, je ende aktive në botën e modës. Si e sheh sot raportin mes modës dhe medias? Sot ato janë të pandashme. Media është pasqyra ku moda shfaq frymën e kohës, ndërsa moda është mënyra si media e përkthen estetikën në identitet. Nuk e shoh modën vetëm si veshje, por si komunikim – si gjuhë që flet për kulturën, shijen dhe vetëbesimin e një brezi. Je imazh i disa prej markave më të njohura të tregut. Si i zgjedh bashkëpunimet? Jam selektive, sepse çdo bashkëpunim është edhe një reflektim i personalitetit tim. Nuk pranoj çdo ofertë, edhe nëse është e leverdishme ekonomikisht. Për mua ka rëndësi që brendi të përfaqësojë cilësi, kulturë dhe vlera. Fotosesioni me fotografin Arton Humolli ka tërhequr vëmendje për stilin dhe elegancën e tij. Si e përjeton një bashkëpunim të tillë artistik? Kur punon me profesionistë të vërtetë, çdo foto bëhet histori. Artoni ka aftësinë ta kapë shpirtin përtej imazhit, momentin përtej pozës. Bashkëpunimi me të ka qenë shumë i natyrshëm, sepse ndan të njëjtin vizion – ta tregosh estetikën përmes thjeshtësisë. Çfarë doje të përcillje përmes këtij seti fotografik – më shumë stil, ndjesi apo identitet? Më shumë ndjesi. Nuk doja të ishin vetëm foto të bukura, por të kishin frymë, dritë dhe emocione të vërteta. Secila foto është si një kapitull i vogël i rrugëtimit tim profesional – e sinqertë, e pastër dhe pa filtra të tepërt. Je konsideruar si një nga moderatoret më të bukura dhe më tërheqëse në ekranet tona. Si e përjeton këtë vlerësim? E marr si kompliment, por jo si përkufizim. Bukuria është diçka që të jepet, por mënyra si e mbart është zgjedhje. Për mua, më e rëndësishme se të jesh e bukur, është të jesh e ndershme me publikun dhe e kujdesshme me mesazhin që përcjell. Nuk e përdor pamjen për të provokuar, por për të komunikuar me respekt dhe dinjitet. Të jesh atraktive në media shpesh është privilegj, por edhe sfidë. Si ruan balancën midis estetikës dhe profesionalizmit? Atraktiviteti nuk është qëllim, por pasojë e mënyrës si e jeton punën. Nuk ke pse të provokosh për të të vënë re. Mund të jesh e dukshme për shkak të qetësisë, për shkak të përmbajtjes, për shkak të respektit që i jep ekranit. Mendoj se eleganca është kur di ta ndalësh vështrimin e dikujt, pa pasur nevojë të bësh zhurmë. Jashtë kamerës me Kadrie Canollin Të shohim gjithmonë plot energji dhe pozitivitet. A është kjo mënyra jote për ta përballuar jetën? Po, është natyra ime. Më pëlqen të përhap një atmosferë të mirë, pa shtirje. Pozitiviteti është zgjedhje, jo pozë. Edhe kur jam e lodhur, përpiqem ta ruaj atë ndjenjë të brendshme që më shtyn përpara – gëzimin për jetën. Cila është arma jote më e fortë jashtë studios? Humori dhe mirësia. Nuk më pëlqejnë përballjet e ftohta. Një shaka e butë, një buzëqeshje në momentin e duhur, shpesh bëjnë më shumë se një argument i gjatë. Më pëlqen t’i shoh njerëzit duke qeshur, sepse aty fillon sinqeriteti. Çfarë të bën të qeshësh më shumë? Situatat e papritura. Kam shumë momente kur diçka e vogël, spontane, më shpërthen në të qeshura të sinqerta, sidomos në studio. Dhe njerëzit me humor inteligjent, ata që dinë të qeshin edhe me veten. Si do ta përshkruaje veten me tri fjalë? E hareshme, e përmbajtur dhe shumë kërkuese ndaj vetes. Kadrie Canolli, Foto: Arton Humolli Reflektime dhe ndjesi Cila është fjala ose shprehja që e përdorni më shpesh, ndonjëherë edhe pa vetëdije? Besoj se është fjala... E përdor për çdo gjë, si miratim, si qetësim, si mënyrë për ta përmbyllur një situatë. Ndonjëherë është mënyra ime për të mos e rënduar fjalën, për ta mbajtur jetën të lehtë. Çfarë kuptimi ka për ju fjala ‘liri’ në jetën personale, jo në profesion? Liria është me qenë vetvetja pa frikë. Jo vetëm të thuash çfarë mendon, por të ndihesh rehat me veten edhe kur je në heshtje. Për mua, liria është gjendje e brendshme – një qetësi që nuk ka nevojë të shpjegohet. Cili ka qenë momenti më i heshtur i jetës suaj që ju ka mësuar më shumë? Ka pasur momente kur duhej të heshtja, edhe kur doja të flisja. Pikërisht ato më kanë mësuar durimin, forcën dhe respektin për kohën. Heshtja është mësuesja më e sinqertë e jetës. Shumë thonë se bukuria hap dyer, por ndonjëherë mbyll zemra. A e keni ndjerë edhe ju këtë? Po, ndonjëherë po. Bukuria mund të të bëjë të dukshme, por jo të kuptuar. Ka raste kur njerëzit ndalen te pamja dhe nuk shohin më thellë. Por kjo është përgjegjësia jote – ta tregosh thelbin tënd me sjellje, me qëndrime, me respekt. Vetëm atëherë bukuria merr kuptim. Bukuria shpesh sjell pritshmëri të pafundme… po ju, dini çfarë doni apo humbisni mes kërkesave? E di çfarë dua. Por ndonjëherë zgjedh të mos e them me zë. Jam mësuar të mos i ndjek pritshmëritë e të tjerëve, por të dëgjoj ritmin tim. Bukuria kalon, karakteri mbetet – dhe në këtë jam e sigurt. Dhe për fund: çfarë do të doje që publiku të kuptojë përtej ekranit tënd? Që çdo buzëqeshje ka një përpjekje pas saj. Që çdo fjali është menduar para se të thuhet. Dhe që për mua, suksesi nuk matet me shikueshmëri, por me respektin që mbetet pasi programi mbaron. /Telegrafi/