Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta është pyetur se kur klubi katalunas do të bëjë transferime të mëdha financiare, gjatë pjesëmarrjes së tij në Globe Soccer Awards. Laporta praktikisht e ka përjashtuar mundësinë e afrimeve të bujshme, duke vënë theksin te filozofia e klubit dhe zhvillimi i talenteve nga akademia La Masia. “Ne po punojmë për të prodhuar lojtarë nga La Masia dhe kemi shumë talente që janë të aftë të arrijnë ekipin e parë”. “Jemi krenarë për filozofinë sipas së cilës punojmë. Në fakt, ka lojtarë nga La Masia që arrijnë ekipin e parë dhe, në të njëjtën kohë, ne duam edhe të transferojmë lojtarë të tjerë dhe t’i integrojmë së bashku”. Laporta ka theksuar se projekti i Barcelonës nuk kufizohet vetëm te ekipi i meshkujve, duke përmendur edhe suksesin dhe rëndësinë e futbollit të femrave në klub. “Ne kemi edhe ekipe të tjera, jo vetëm ekipin e futbollit të meshkujve; kemi edhe ekipin e futbollit të femrave. Jam shumë i lumtur për këtë, sepse këtu është një lojtare që përfaqëson futbollin e femrave”. Me këto deklarata, Laporta ka bërë të qartë se Barcelona do të vazhdojë të mbështetet kryesisht te La Masia dhe zhvillimi i brendshëm, duke lënë në plan të dytë transferimet e mëdha me shifra të larta./ Telegrafi