Si votuan qytetarët e diasporës që erdhën në Kosovë sipas UBO-s

UBO Consulting ka publikuar detajet e EXIT POLL-it, të prezantuara në RTV Dukagjini, ku paraqiten të dhëna të votimit nga qytetarët rezidentë që jetojnë në Kosovë dhe ata që kanë ardhur nga diaspora. Sipas UBO-s votuesit që kanë ardhur nga diaspora i kanë shtuar LVV-së 3 deputetë, që supozohet se 2 i kanë marrë nga LDK dhe 1 nga PDK. Lëvizja Vetëvendosje (VV) kryeson bindshëm si brenda Kosovës ashtu edhe në diasporë. Në Kosovë (pa diasporën), VV ka marrë 43.5% të votave, ndërsa në diasporë përqindja e saj arrin në 61.7%, duke shënuar një mbështetje dukshëm më të lartë nga mërgata. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet e dyta me 22.9% në Kosovë dhe 18.6% në diasporë. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 16.7% të votave në Kosovë dhe 10.3% në diasporë. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) shënon rezultate të ngjashme në të dyja rastet, me 5.4% në Kosovë dhe 5.1% në diasporë, ndërsa Nisma Socialdemokrate mbetet nën 2%, përkatësisht 1.8% në Kosovë dhe 1.7% në diasporë.