KQZ: Procesi zgjedhor ishte i qetë dhe i rregullt, pjesëmarrja 44.56% deri në orën 19:00

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka deklaruar se procesi zgjedhor në Kosovë është zhvilluar në mënyrë të qetë dhe të rregullt, pa incidente që do të mund ta cenonin integritetin e zgjedhjeve. Në konferencën për media pas mbylljes së vendvotimeve, Radoniqi tha se procesi është zhvilluar i qetë dhe i rregullt. "Deri në këtë kohë që po flasim nuk janë evidentuar incidente që do të mund të cenonin integritetin zgjedhor”, tha Radoniqi. Ai bëri të ditur se gjatë ditës kanë pasur vetëm disa probleme teknike me energjinë elektrike. “Kemi pasur tri raportime për ndërprerje të energjisë në tri qendra votimi në Rahovec, Dragash dhe Han të Elezit", u shpreh ai. Sipas Radoniqit, këto probleme janë tejkaluar dhe se nga komunikimet tona me KEDS, në secilën qendër ka energji dhe do të vazhdojë të ketë. Duke folur për pjesëmarrjen në votime, Radoniqi njoftoi se sipas të dhënave preliminare nga 98 për qind e vendvotimeve. “Numri i qytetarëve që kanë votuar deri në orën 19:00 është 819 mijë e 859 votues, apo 44.56 për qind", tha Radoniqi. Ai krahasoi pjesëmarrjen edhe me zgjedhjet e kaluara. “Në zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt, deri në të njëjtën kohë kishin votuar 40.04 për qind apo 789 mijë e 172 votues, ndërsa në rezultatet e certifikuara numri i përgjithshëm i votuesve kishte qenë 871 mijë e 662”, u shpreh Radoniqi. KQZ ka bërë të ditur se procesi i numërimit të votave do të vazhdojë sipas procedurave ligjore, ndërsa rezultatet zyrtare do të publikohen në ueb faqen e KQZ./Telegrafi/