LSDM akuzon se “Posta e Maqedonisë” i ka dhënë tender me vlerë 1,2 milionë euro një kompanie të afërt me “ZNAM”

Partia opozitare LSDM, ka akuzuar Postën e Maqedonisë se i ka dhënë tender me vlerë 1,2 milionë euro një kompanie të afërt me partinë “ZNAM”. Nga LSDM thonë se tenderi është një kontratë për pastrim dhe mirëmbajtje higjienike me kompai që është pa punëtorë, pa kontrata të realizuara më parë dhe pa përvojë. “Kompania “BS Cleaning import-eksport” SHPKNJP Shkup, e themeluar më 10 korrik 2024, ka fituar tender me vlerë 1,2 milionë euro nga “Posta e Maqedonisë së Veriut”. Kontrata e lidhur është për pastrim dhe mirëmbajtje higjienike. Kompania pa punëtorë, pa kontrata të realizuara më parë, pa përvojë. Në momentin e aplikimit, kjo kompani nuk i plotësonte kushtet bazë të përcaktuara në dokumentacionin e tenderit. Nuk kishte minimum tre kontrata të mëparshme për mirëmbajtje higjienike, nuk kishte të paktën 50 të punësuar, nuk realizonte të ardhura vjetore prej të paktën 100.000 euro në tre vitet e fundit”, deklaroi Renata Mlladenovska – Këshilli ekzekutiv i LSDM-së. Nga “Posta” reaguan duke thënë se akuzat e LSDM-së janë të pasakta, tendencioze dhe politikisht të motivuara. Sipas tyre, këto pretendime përbëjnë përpjekje për dezinformim të qëllimshëm të opinionit dhe shtrembërim të fakteve.