PSG po përgatit një lëvizje prej 50 milionë eurosh për një yll kyç të Barcelonës, në kuadër të planeve të avancuara për forcimin e skuadrës. Bëhet fjalë për Marcus Rashford, sulmuesin anglez që po shkëlqen në formë huazimi te Barcelona, duke u shndërruar në një nga surprizat më të mëdha të sezonit. 28-vjeçari ka shpërthyer me shtatë gola dhe 11 asistime në vetëm 24 paraqitje, duke regjistruar mesatarisht një kontribut vendimtar çdo 87 minuta. Performancat e tij kanë ardhur kryesisht nga krahu i majtë, ku ai ka marrë më shumë përgjegjësi gjatë mungesës së Raphinhas, duke i dhënë një impuls të ri sulmit të Barçës me shpejtësinë, konkretësinë dhe presionin e pandalshëm. Megjithatë, e ardhmja e Rashford në “Camp Nou” nuk është aspak e sigurt. Barcelona ka një opsion blerjeje prej 30 milionë eurosh, por kufizimet e rrepta financiare dhe rregullat e Fair Play Financiar e bëjnë aktivizimin e kësaj klauzole jo të garantuar. Pikërisht kjo situatë ka hapur derën për interesimin serioz të Paris Saint-Germain. Sipas “Mundo Deportivo”, PSG po monitoron nga afër situatën e Rashford dhe është e gatshme të paguajë ose edhe të tejkalojë shumën e opsionit të blerjes së Barcelonës. Klubi parisien, i udhëhequr nga Luis Enrique, e sheh anglezin si një përforcim me potencial të lartë për repartin ofensiv, duke vlerësuar veçanërisht fleksibilitetin e tij, intensitetin dhe përvojën në nivelet më të larta të futbollit në Evropë. Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka folur disa herë me superlativa për Rashford, duke sinjalizuar dëshirën për ta mbajtur në skuadër. Megjithatë, rikthimi i Raphinhas nga lëndimi mund të reduktojë minutat e anglezit, faktor që mund ta shtyjë lojtarin të rishqyrtojë të ardhmen e tij. Vetë Rashford ka shprehur publikisht dëshirën për të qëndruar afatgjatë në Kataloni, por tundimi i PSG-së dhe mundësia për një rol të rëndësishëm në një projekt ambicioz mund ta ndryshojnë situatën. Kjo sagë kujton rastet e mëparshme kur PSG ka “peshkuar” yje nga Barcelona, si Neymar, Lionel Messi dhe Ousmane Dembele, duke rritur frikën te tifozët katalunas se edhe një tjetër emër i rëndësishëm mund të largohet drejt “Parkut të Princave” në një tjetër betejë të madhe merkatoje./ Telegrafi