Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, në fjalimin e tij në konferencën përmbyllëse të partisë, të mbajtur në Tetovë, foli për pozitën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe të ardhmen e shtetit. Thaçi ka theksuar se Maqedonia nuk do të shohë hajr dhe nuk do të ketë stabilitet e zhvillim të qëndrueshëm për aq kohë sa shqiptarët nuk i gëzojnë të gjitha të drejtat që u takojnë dhe që i kanë komunitetet e tjera në vend. Sipas tij, barazia e plotë nuk është privilegj, por parakusht themelor për funksionimin e një shteti demokratik dhe multietnik. “Përderisa shqiptarët trajtohen si qytetarë të rendit të dytë, ky shtet nuk mund të ketë paqe sociale, prosperitet ekonomik dhe as perspektivë evropiane,” ka deklaruar Thaçi, duke shtuar se problemet strukturore vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura pavarësisht premtimeve të shumta ndër vite. Ai ka kritikuar ashpër institucionet shtetërore për moszbatimin e plotë të të drejtave kushtetuese dhe ligjore të shqiptarëve, duke përmendur përfaqësimin e pamjaftueshëm në institucionet kyçe, përdorimin e gjuhës shqipe, si dhe diskriminimin në punësim dhe zhvillim rajonal.