Valëviti flamurin e Kosovës në Kinë dhe u shpall ndër më të bukurat e botës Bukuroshja shqiptare Glenda Tola ka shënuar një sukses të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare të bukurisë, duke u shpallur Shoqëruesja e Dytë në edicionin e sivjetmë të Miss Tourism World 2025, i mbajtur në Shanghai, Kinë. Ajo përfaqësoi Republikën e Kosovës mes konkurrenteve nga rreth 70 shtete të botës, duke tërhequr vëmendjen e jurisë profesionale me paraqitjen, elegancën dhe karizmën e saj. E përzgjedhur nga Drejtori Nacional Shpëtim Zejneli, Glenda Tola, 18 vjeçe, me gjatësi 1.77 m, e lindur në Tiranë, u shqua për prezantimin dinjitoz të identitetit kulturor dhe stilit modern. Gjatë garës, ajo u paraqit me veshje tradicionale shqiptare, fustane elegante (të gjata dhe të shkurtra), si edhe me bikini, duke dëshmuar siguri skenike dhe profesionalizëm, transmeton Telegrafi. Juria ndërkombëtare vlerësoi lart prezencën e saj, çka u kurorëzua me titullin Shoqëruesja e Dytë, një arritje që e pozicionon Glendën ndër emrat më premtues të këtij edicioni. Vetë Glenda është shprehur krenare që valëviti flamurin e Kosovës në një skenë kaq prestigjioze dhe përfaqësoi vendin me dinjitet e elegancë. Suksesi në Shanghai ka hapur edhe dyer të reja ndërkombëtare: Glenda Tola ka marrë oferta nga producentë të njohur botërorë dhe pritet të jetë pjesë e Paris Fashion Week 2026 si dhe e Festivalit të Filmit në Cannes, duke e shndërruar këtë fitore në një trampolinë drejt një karriere të ndritur në modë dhe art. Ky sukses nuk është vetëm personal, ai është edhe një moment krenarie për Kosovën, që përmes Glenda Tolës u përfaqësua fuqishëm në një nga garat më të njohura ndërkombëtare të bukurisë dhe turizmit. /Telegrafi/