Sulmuesi Ousmane Dembele e ka dominuar plotësisht vitin 2025, duke u shndërruar në protagonist absolut të skenës botërore të futbollit. Pas fitimit të Topit të Artë për vitin 2025, sulmuesi i Paris Saint-Germain vazhdoi të pasurojë koleksionin e tij me disa trofe të tjerë individualë prestigjiozë. Reprezentuesi francez fitoi gjithashtu çmimin e FIFA-s, si dhe “Globe Soccer Award” për lojtarin më të mirë në botë, duke kompletuar një tripletë trofesh individualë brenda një viti kalendarik. Me këtë arritje, Ousmane Dembele tashmë ulet në të njëjtën “tryezë” me Cristiano Ronaldon. Dallimi i vetëm është se legjenda portugeze e ka përsëritur këtë sukses dy herë radhazi. Aktualisht sulmues i Al-Nassr, Cristiano Ronaldo arriti të fitonte njëkohësisht Topin e Artë, çmimin e më të mirit në FIFA dhe Globe Soccer Award në vitet 2016 dhe 2017, duke vendosur një standard historik në futbollin modern. Autor i një sezoni spektakolar 2024/25, Ousmane Dembele ka shkruar padyshim një nga kapitujt më të bukur të karrierës së tij, duke u konfirmuar si një nga futbollistët më vendimtarë dhe më të vlerësuar në botë./ Telegrafi