LVV parti e parë në 24 komuna, PDK në 2, AAK në një

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë parti e parë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare edhe në pjesën dërrmuese të komunave me shumicë shqiptare në Kosovë, sipas të dhënave preliminare. LVV nuk ka arritur të renditet e para vetëm në Skenderaj, Drenas dhe Deçan, ndërsa në të gjitha komunat e tjera shqiptare ka siguruar epërsinë ndaj partive rivale. Si parti e parë, LVV ka dalë në komunat: Prishtinë, Prizren, Pejë, Ferizaj, Gjilan, Gjakovë, Mitrovicë, Podujevë, Vushtrri, Fushë Kosovë, Suharekë, Rahovec, Lipjan, Klinë, Malishevë, Shtime, Istog, Dragash, Obiliq, Viti, Kaçanik, Kamenicë, Hani i Elezit dhe Junik. Ndërkohë, Lista Serbe ka dalë parti e parë në të gjitha komunat me shumicë serbe, duke ruajtur dominimin tradicional në këto zona. Në komunën e Mamushës, sipas rezultateve preliminare, kryeson KDTP. Këto rezultate dëshmojnë një mbështetje të gjerë për LVV-në në nivel vendi, ndërsa pritet që rezultatet përfundimtare të certifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas përmbylljes së të gjitha procedurave ligjore./Telegrafi/