Me fishekzjarre, tupanë, e këngë ka nisur festa e simpatizantëve të Lëvizjes Vetëvendosje në sheshet e kryeqytetit. Numër i madh i qytetarëve të cilët po festojnë në Prishtinë, të cilët flasin për KosovaPress janë nga diaspora. Një qytetar i cili ka mbështjellë veturën me flamur kombëtar, ka thënë se rezultati i sotëm ka qenë i pritur. “Me fotografinë e Albin babës... vijmë nga diaspora, nga Gjermani dhe e kemi pritur që mbi 50 për qind kemi për të kaluar”, ka thënë ai. Nga festa në Prishtinë ka folur edhe Safet Haxheri, i cili ka udhëtuar nga Zvicra për në Kosovë. “Ne presim që mërgata jonë ta ketë mundësinë të investojë dhe sigurinë, sepse investitorët kërkojnë siguri dhe strategjia globale po ndryshon, më nuk po duhet historia por gjendja aktuale në terrene, andaj ne edhe e kemi prioritetin e Kosovës edhe integritetin”, ka thënë ai. Një qytetar tjetër, i cili ka ardhur nga Gjermania për të votuar në Kosovë, tha se ka pritur fitore edhe më të bindshme të Lëvizjes Vetëvendosje. “Kemi pritur edhe më bindshëm por jemi të kënaqur me këtë rezultat, sepse kësaj radhe po shkojmë, siç ka thonë princi jonë Albin, princ unë e quaj i kombit, që herën e parë po shkojmë cep më cep, por kësaj radhe po shkojmë krejt ku ka shqiptarë, ku ka gjak shqiptari po shkojmë. Unë kam ardhur nga Gjermania, e falënderojë familjen që ma plotësuan dëshirën me ardh se pata vdek, edhe që jam sëmurë”, tha ai. Në festën në kryeqytet po marrin pjesë edhe qytetarë tjerë nga diaspora. “Si të na thirr Albini këtu jemi. Normal... Presim vetëm stabilitet, vetëm të vazhdojë kështu, jemi të kënaqur shumë me këtë qeveri”, tha një tjetër qytetar”, theksoi ai. “E kemi pritur [këtë rezultat] sepse populli është vetëdijesuar tash e dinë për kë për të votuar, shumica... Forcim të shtetit ushtarakisht edhe ekonomikisht, të dyjat s’ka nevojë më shumë. të tjerat i bënë arsimi, rinia”, përfundoi ai. Nga të dhënat e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 49.92 për qind, PDK 21.15 për qind, LDK 13.81 për qind, ndërkaq AAK 5.80 për qind.