'Kemi bërë shumë përparim', thotë Trump, pas takimin me Zelenskyn e Ukrainës

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e përshkroi takimin e tij të fundit me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, si "të shkëlqyer" pas gati tre orësh bisedimesh. "Patëm një takim të mrekullueshëm. Diskutuam shumë gjëra", tha Trump në një paraqitje të përbashkët me Zelenskyn në Mar-a-Lago, Florida, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi. "Mendoj se po i afrohemi shumë, ndoshta shumë afër", tha Trump, duke shtuar se "kemi bërë shumë përparim në përfundimin e asaj lufte". Kjo deklaratë e tij ishte nga disa të bëra nga presidenti i SHBA-së, teksa bashkë me homologun ukrainas po flisnin me gazetarët pas takimit të tyre në Mar-a-Lago. Trump, duke thënë se beson që një marrëveshje paqeje është “afër” për Ukrainën, përshkroi “një nga dy çështjet shumë të vështira” që mbeten. Ai nuk pranoi të jepte një përqindje për kushtet që ishin rënë dakord, por tha se mund të jetë afër 95%. Ai pranoi se fati i rajonit lindor të Donbasit, të cilin Rusia i ka kërkuar Ukrainës dorëzimin, mbeti një çështje e pazgjidhur. Në anën tjetër, Zelensky ka filluar uke falënderuar Trumpin "për një takim të shkëlqyer në këtë vend të mrekullueshëm". Ai tha se ekipet sot diskutuan "të gjitha aspektet e kornizës së paqes" dhe thotë se plani i paqes me 20 pika është "90% i dakordësuar". "Ne ramë dakord që garancitë e sigurisë janë një moment kyç në arritjen e paqes së qëndrueshme dhe ekipet tona do të vazhdojnë të punojnë në të gjitha aspektet", ka shtuar ai. Një bisedë midis presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe udhëheqësve evropianë ishte zhvilluar para konferencës së përbashkët ndërmjet tyre. Siç thuhej më tej, Zelensky dhe Trump folën me udhëheqësit në një telefonatë ndërsa dy presidentët u takuan në Florida për të diskutuar propozimin e fundit të paqes për Ukrainën. Telefonata thuhet se zgjati mbi një orë dhe udhëheqësit diskutuan "hapat konkretë" për t'i dhënë fund luftës, shkroi Presidenti finlandez Alexander Stubb në një postim në X. Pjesëmarrësit në komunikim përfshinin udhëheqësit e Britanisë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë dhe Norvegjisë, si dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s dhe presidentin e Komisionit Evropian, shkroi Stubb. "Ne të gjithë po punojmë drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme", tha Stubb. / Telegrafi /