Kurti feston në shesh: Kjo fitore është e popullit dhe e Republikës

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka dalë në sheshin e Prishtinës për të festuar fitoren e LVV-së në zgjedhjet e 18 dhjetorit, duke e cilësuar atë si një fitore historike. Para mbështetësve të shumtë, Kurti ka falënderuar qytetarët për përkrahjen, angazhimin dhe kontributin e dhënë në fitoren e partisë së tij, duke theksuar se kjo fitore nuk i takon vetëm LVV-së, por të gjithë qytetarëve të Kosovës. “Kjo fitore është e të gjithë juve,” ka deklaruar Kurti, duke u zotuar se të gjitha zotimet elektorale do të përmbushen një nga një. Ai ka theksuar se në këto zgjedhje ka fituar populli dhe Republika, ndërsa suksesin e ka atribuar vizionit dhe programit të LVV-së, si dhe punës së bërë gjatë mandatit të kaluar. “Kësaj radhe ka fituar populli dhe Republika. Ajo që e bëri të mundur fitoren është vizioni dhe programi ynë, punët e mbara dhe të kryera në këtë pesëvjeçar dhe zotimet e reja që do t’i përmbushim të gjitha,” ka thënë Kurti. Kurti ka kujtuar edhe fitoren e 9 shkurtit, duke theksuar dallimin mes dy proceseve zgjedhore. Sipas tij, kësaj here fitorja është edhe më përfshirëse dhe përfaqësuese. “Më 9 shkurt fitoi VV-ja bashkë me partnerët, kësaj radhe fitoi populli dhe Republika,” është shprehur ai. Në fund të fjalimit, Kurti ka theksuar se LVV nuk do të lëshojë pe në realizimin e vizionit të saj qeverisës. “Nuk lëshojmë pe, jo për inat të dikujt, por për shkak se gjithë juve ju duam fort,” ka deklaruar Kurti, ndërsa ka shtuar se “sonte të gjithë kremtojmë numrin që është fitimtar”. Festa në rrugën “Garibaldi” u shoqërua me brohoritje dhe atmosferë festive nga simpatizantët e LVV-së.