Rritja e Vetëvendosjes dhe tkurrja e opozitës - çfarë tregojnë zgjedhjet e 28 dhjetorit

Në Kosovë të dielën më 28 dhjetor u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku të drejtë vote kishin 1.999.024 qytetarë. Këto zgjedhje prodhuan ndryshime të dukshme në raportet e forcave politike në vend. Nga rezultatet preliminare Lëvizja Vetëvendosje është renditu si partia e parë, dhe e njëjta ka shënuar rritje të qartë elektorale krahasuar me zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt. Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me mbi 99 për qind të vendvotimeve të rregullta të numëruara, LVV ka marrë 49.30 për qind të votave, apo 429,979 vota, duke u renditur bindshëm në vendin e parë. Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje kishte siguruar 42.30 për qind, përkatësisht 396,787 vota, që paraqet një rritje prej rreth 7 pikë përqindjeje dhe mbi 33 mijë vota më shumë. Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka shënuar rënie të lehtë. Nga 20.95 për qind apo 196,474 vota në zgjedhjet e 9 shkurtit, PDK aktualisht renditet me 21.01 për qind dhe rreth 183,258 vota, çka tregon një ulje prej 13,216 vota më pak, pavarësisht mbajtjes së një përqindjeje të ngjashme. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka pësuar rënien më të madhe ndër partitë kryesore opozitare. Nga 171,357 vota në zgjedhjet e 9 shkurtit, LDK ka rënë në rreth 118,490 vota, duke humbur 52,867 vota, ndërsa përqindja ka zbritur nga 18.27% në 13.59%. Sa i përket Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në zgjedhjet e djeshme ajo ka garuar e vetme, duke marrë 49,571 vota ose 5.68 për qind. Në zgjedhjet e 9 shkurtit, AAK ishte pjesë e një koalicioni që kishte siguruar 66,256 vota ose 7.06 për qind. Kjo nënkupton një rënie prej 16,685 votash, megjithatë krahasimi duhet parë në kontekstin e ndryshëm të garimit. Megjithatë, KQZ ka bërë të ditur se rezultatet aktuale nuk përfshijnë: votat nga vendvotimet me kusht, votimin e personave me nevoja të veçanta, si dhe votimin jashtë Kosovës (diaspora). /Telegrafi/