Volodymyr Zelensky tha se garancitë e sigurisë së SHBA-së për Ukrainën ishin "100% të dakorduara" pas një takimi me Donald Trump në Mar-a-Lago të dielën. Presidenti ukrainas përshëndeti "arritjet e mëdha" pas një takimi dypalësh me homologun e tij amerikan, i cili këmbënguli se lufta e Rusisë kundër Ukrainës duhet të përfundojë së shpejti, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi. Zelensky u tha gazetarëve në Florida se garancitë e sigurisë së SHBA-së për vendin, një pikë kyçe përpara se të finalizohet një zgjidhje paqeje, janë "100% të dakorduara" dhe një plan ekonomik për të rigjallëruar ekonominë ukrainase është "pothuajse i finalizuar". "Kemi arritje të mëdha, plani i paqes me 20 pika është 90% i dakorduar dhe garancitë e sigurisë SHBA-Ukrainë janë 100% të dakorduara", u tha Zelensky gazetarëve. "Garancitë e sigurisë të SHBA-së, Evropës dhe Ukrainës janë pothuajse të dakorduara. Dimensioni ushtarak është 100% i dakorduar", ka shtuar ai. Trump bëri të ditur se bisedimet me Zelenskyn dhe delegacionin ukrainas do të vazhdojnë të hënën. Ndërsa e cilësoi takimin produktiv, presidenti amerikan pranoi se çështja më e ndjeshme - ndarja e mundshme e territoreve - mbetet e pazgjidhur. Kur u pyet konkretisht për Donbasin në lindje të Ukrainës - zona që përbëhet nga Donetsku dhe Luhansku, të cilën Ukraina e ka kundërshtuar ta heqë dorë, pasi kjo do të shpërblente Rusinë, e cila ka pushtuar pjesë të saj - Trump pranoi: "Kjo është një çështje shumë e vështirë". Pa vendosur ose pa sinjalizuar një afat kohor, Trump tha "do ta shohim brenda disa javësh" nëse plani i paqes funksionon. / Telegrafi /