Zgjedhjet përfunduan, koha për punë është tani

Pas një bllokade totale njëvjeçare, më në fund vendi po duket se po shkon drejt një zgjidhjeje. Zgjedhjet përfunduan, qytetarët votuan dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi në kohë rekord rezultatet e para preliminare. Vetëm 2–3 orë pas përfundimit të votimit, Kosova kishte tashmë rezultatet fillestare, çka përbën një shembull të organizimit të mirë, procesit demokratik dhe një dite zgjedhore pa incidente serioze që do ta cenonin integritetin e procesit. Por, çfarë sollën rezultatet e djeshme dhe cila është situata politike? Qytetarët ia dhanë Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje edhe një mandat për të qeverisur. Me 56 deputetë nga LVV, GUXO, Alternativa dhe PShDK, Kurtit i duhen vetëm edhe 5 vota nga komunitetet jo-shumicë për të formuar qeverinë. Nëse këto vota sigurohen pa Duda Baljen dhe Adem Hoxhën, si në të kaluarën, Kurti mund të arrijë deri në 64 vota, duke krijuar qeverinë pa partitë opozitare të deritashme, PDK, LDK dhe AAK. Në muajin shkurt, Kurti kishte 42% dhe 48 deputetë, ndërsa sipas rezultateve të së dielës, që ende nuk janë finale, ai del me 56 deputetë, pra 6 më shumë. Partia Demokratike e Kosovës, e cila në shkurt kishte 24 deputetë, tani pritet të ketë 23, me Bedri Hamzën në krye të partisë. LDK-ja, nën drejtimin e Lumir Abdixhikut, shënon një rënie të konsiderueshme nga 20 deputetë në shkurt, tani pritet të ketë 15. Ndërkohë, AAK, e cila në shkurt kishte 8 deputetë së bashku me NISMA-n e Fatmir Limajt, tani pritet të ketë 6 deputetë, dy më pak, dhe pa NISMA-n në Kuvend. Tani, pas një bllokade njëvjeçare, çfarë na pret? Është koha për përgjegjësi, punë dhe përkushtim. Kosovën e presin shumë tema të rëndësishme, por fokusi kryesor në vitin 2026 duhet të jetë ekonomia – ekonomia dhe ekonomia. Kur flasim për ekonomi, flasim për Buxhetin 2026, i cili duhet të miratohet urgjentisht; për ligjet e reja që e presin Kuvendin e Kosovës; dhe për marrëveshjet ndërkombëtare që presin miratim dhe zbatim praktik. Një tjetër test real për Qeverinë Kurti 3 do të jetë zgjedhja e Presidentit të ri të Kosovës në pranverë. Ky proces nuk duhet ta çojë vendin në zgjedhje të reja. Kërkohen marrëveshje, kompromis dhe pjekuri politike. Kosova nuk ka më nevojë për “sallta politike”. Është koha për përgjegjësi dhe pjekuri politike. Koha për qeverisje të mirë në arsim, shëndetësi, ekonomi, politikë të jashtme, e jo për ankesa dhe bllokada.