Takimi vendimtar mes Cityt dhe agjentëve të Semenyos, dy skuadra të tjera po presin

Është tashmë e qartë se Antoine Semenyo do të largohet nga AFC Bournemouth këtë dimër. Manchester City shihet si favorit, por konkurrenca nuk është dorëzuar. Prej javësh është kuptuar se Bournemouth nuk do të jetë në gjendje ta mbajë Semenyon. 25-vjeçari ka shënuar tetë gola dhe ka dhënë tre asiste në 16 paraqitje, një bilanc që ka tërhequr menjëherë interesimin e klubeve të mëdha të Ligës Premier. Anësori ka një klauzolë lirimi prej rreth 75 milionë eurosh, e vlefshme për javët e para të janarit. Manchester City, Liverpool dhe Manchester United janë të gatshme të paguajnë këtë shumë. Ditët e fundit, City është paraqitur si favorit i qartë, me Semenyon që raportohet se është gati të kalojë te ekipi i Pep Guardiolës. Megjithatë, sipas Sky Sports, Liverpooli nuk është dorëzuar dhe po përpiqet ta bindë lojtarin të rishqyrtojë vendimin. Gjithnjë sipas Sky Sports, edhe Manchester United mbetet në garë dhe po pret shansin e vet. Për të shmangur një “rrëmbim” të mundshëm, City po shpejton negociatat. Sky Sports raporton se një takim ndoshta vendimtar mes përfaqësuesve të lojtarit dhe Citizens pritet të zhvillohet sot. Ganezi dëshiron të përcaktojë klubin e ardhshëm para fundit të vitit, duke vendosur 1 janarin si afatin përfundimtar. Nëse City nuk arrin marrëveshje deri atëherë, dera do të rihapet për klubet e tjera. /Telegrafi/