Nga: Robert Fox / The Independent Përkthimi: Telegrafi.com Ka diçka ambivalente në lidhje me sezonin e festave, pasi zakonisht nxit një shpërthim parashikimesh gazetareske për gjëra të këqija që priten në Vitin e Ri - më shumë telashe, murtaja dhe luftëra më të këqija. Një pikë ngushëllimi është se gazetarët, në përgjithësi, janë profetë të dobët. Kështu që, në frymën e paqartë të sezonit, le të hedhim një vështrim mbi vendet dhe rastet që mund të nxisin përplasje më të gjera, madje edhe një luftë rajonale apo një përballje globale. Nuk parashikoj një luftë në Evropë apo diku tjetër - të llojit të zymtë të Mark Ruttes, sekretarit të përgjithshëm të NATO-s - “në shkallën e luftërave të etërve dhe gjyshërve tanë”. Çfarëdo që po përgatitet, nuk do të jetë asgjë si luftërat e mëdha të shekullit XX. Nuk do të ketë ndalim në intensitetin e luftimeve dhe të dhunës që po shohim tani në Ukrainë, Sudan, Ruandë dhe Kongo, si dhe në Jemen. Përballja mes Tajlandës dhe Kamboxhias duket po aq e tensionuar, si gjithmonë, dhe shpërthimet e tmerrshme të trazirave civile dhe masakrave në Mianmar po përshkallëzohen, ndërsa junta ushtarake manipulon zgjedhjet këtë pranverë. Një shkëndijë e rastësishme në disa nga këto konflikte mund të jetë shkak i një përplasjeje më të gjerë. Siç paralajmëroi Rutte, duhet të jemi të përgatitur për luftë, për ta parandaluar atë. Vladimir Putini ka paralajmëruar se Rusia do të vazhdojë të luftojë për një fitore të plotë në Ukrainë, dhe nëse Evropa dëshiron luftë, ai është gati. Ai ka gjasa të provokojë aleatët evropianë të NATO-s dhe BE-së në disa pika - veçanërisht në Baltik, Atlantikun e Veriut dhe nëpërmjet Ballkanit. Kjo mund të përfshijë përdorimin e incidenteve me flamur të rremë përreth enklavës së Kaliningradit, rripit midis Polonisë dhe Lituanisë. Kjo nënkupton një maskim të një incidenti kufitar si akt agresioni nga një aleat i NATO-s - siç kanë qenë, në muajt e fundit, ndërhyrjet e fshehta ruse në patrullat kufitare me Norvegjinë dhe Estoninë. Duke marrë parasysh përmirësimin e qëndrueshëm të shërbimeve të nëndetëseve ruse, të vendosura nga Gadishulli Kola, me siguri do të shtohen patrullat shqetësuese të nëndetëseve ruse, për të testuar konceptin e ri të NATO-s për sigurinë dhe sistemin e paralajmërimit të hershëm në Atlantik [Atlantic Bastion]. Ato do të shoqërohen me më shumë vëmendje në ujërat e brendshme britanike si dhe në Baltik - nga anijet dhe nëndetëset e shërbimit të zbulimit dhe sabotimit GUGI, veçanërisht anija e tyre kryesore, Yantar . Kremlini do të përpiqet të na provokojë, ndërkohë që Amerika e Trumpit sillet mirë me Moskën dhe grindet me aleatët evropianë. Ai do të joshet të veprojë përpara se NATO-ja evropiane të fillojë punën për riarmatim. Një përçarje midis ShBA-së dhe një aleati themelues të NATO-s, Danimarkës - për shkak të Grenlandës - është mundësi tepër e mirë për t’u humbur. Zona e dytë madhore e rrezikut për Shtetet e Bashkuara është vetë kontinenti amerikan, ku Trumplandi ka rimarrë hegjemoninë në strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare, duke ringjallur pretendimin kontinental të presidentit Monroe të vitit 1823. Nuk është vetëm çështje e ndryshimit të regjimit në Venezuelë, për të cilin Trumpi duket se është i vendosur. Çdo ndërhyrje amerikane në Venezuelë rrezikon të përsërisë gabimet e bëra me pushtimin e Irakut në vitin 2003. Siç tha ish-gjenerali dhe sekretari i shtetit, Colin Powell, nëse prish diçka në këto aksione, atëherë do të përballesh me problemin. Do të ishte e domosdoshme të reformoheshin dhe të menaxhoheshin forcat e sigurisë dhe administrata publike, përndryshe vendi do të përfundonte në një luftë civile shumëvjeçare, si në Irak. Veprimi në Venezuelë do të përshpejtonte paqëndrueshmërinë në zhvillim në të gjithë rajonin, nga Ekuadori deri në Kolumbi dhe Guajanë. Pas retorikës së ekzagjeruar të Trumpit, elementi kyç është nafta dhe synimi i ShBA-së për t’u bërë fuqia dominuese globale e naftës. Kjo me siguri do të shqetësojë fuqitë e mëdha të OPEC-ut dhe Kinën - një akter i madh në Amerikën Latine. Rajoni i katërt, Lindja e Mesme, është fuçi baruti për përshkallëzim lufte - nga Kurdistani në Veri deri në Gadishullin Arabik, Sudan dhe Somali përtej Afrikës subsahariane. Gaza mbetet pikë e ndezur, ashtu si Jemeni dhe Sudani. Në Jemenin e Jugut dhe në Sudan, përfaqësuesit e dy fuqive më të mëdha të Gjirit, Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, janë në luftë të hapur. Regjimi i brishtë në Iran mund të zgjedhë momentin për të sulmuar - drejtpërdrejt Izraelin ose përmes përfaqësuesve të vet nga Siria e deri te milicia RSF në Darfur dhe më tej. “Nuk ka ndjenjë sigurie në gjithë Sudanin”, thotë Pasquale Ferrara, që ka hartuar për vite me radhë politikën italiane për rajonin, “por një sasi të madhe armësh”. Luftimet në kufijtë e Ruandës dhe në Republikën Demokratike të Kongos kanë pasoja strategjike, për shkak të garës për minerale të rralla dhe kadmium mes agjentëve të Kinës, ish-grupit Wagner të Rusisë dhe bandave të fuqishme të krimit të organizuar. Në Azinë Jugore dhe Juglindore - skenari im i pestë rajonal - disa përballje kanë potencial për konflikt. Pakistani dhe India vështrojnë njëri-tjetrën mbi Kashmir dhe Afganistan, dhe India përballet me Kinën përgjatë kufirit të tyre malor. Kamboxhia dhe Tajlanda nuk janë plotësisht në paqe, çfarëdo që të thotë Donald Trump, megjithëse është pak e mundur që problemi të përhapet. Zona e gjashtë e shqetësimit të madh për konflikt duhet të jetë Kina. Në vitin 2025, Xi Jinping dhe regjimi i tij janë bërë mjeshtër botërorë të artit strategjik të paqartësisë, duke tejkaluar Donald Trumpin dhe Vladimir Putinin. Vitin tjetër, Xi mund të llogarisë se Donald Trumpi është tepër i shpërqendruar nga Venezuela, Ukraina, Gaza dhe egoja e tij për të reaguar me kohë, nëse Kina do të provonte një veprim vendimtar kundër Tajvanit, në mënyrë të hapur ose të fshehtë. Një përpjekje në kohë të gabuar dhe e dështuar për të marrë Tajvanin, do të provokonte reagim të fuqishëm nga të gjithë akterët e mëdhenj rajonalë të mëdhenj, përfshirë Indinë dhe Japoninë, Australinë dhe Amerikën. Në një skenar më të keq, rrezikohet një përballje vërtet globale. Rreziqet për luftë dhe konflikt nuk janë vetëm çështje gjeografie të gjashtë rajoneve të brishta, apo të mjeteve të vjetra të luftës dhe diplomacisë. Ekzistojnë edhe mënyrat më pak të dukshme - zakonisht të papublikuara të sulmit, përmes krimeve kibernetike, informacionit dhe ndikimit, një aspekt i sigurisë dhe qëndrueshmërisë për të cilin Mbretëria e Bashkuar, për shembull, duket se është tmerrësisht e papërgatitur. Qeveritë tona thjesht nuk duan të mendojnë për këtë, dhe aq më pak ta bëjnë këtë në mënyrë të hapur apo transparente. Mendoni për dëmin e shkaktuar nga sulmi kibernetik ndaj Jaguar Land Rover , që tani besohet se është vepër e një përfaqësuesi rus - një humbje prej 1.5 miliardë paundë [vlera e përafërt e 1.71 miliardë eurove] për kompaninë dhe pesë [vlera e përafërt e 5.73 miliardë eurove] për ekonominë kombëtare. Edhe më shqetësuese është ajo që studiuesit e shkollave të biznesit e quajnë fenomeni i “meduzës së zezë” - përbindëshi i tmerrshëm nga thellësitë, që duam ta injorojmë derisa të jetë tepër vonë dhe me pasoja fatale. Meduza e zezë në luftë mund të jetë formë e re e armëve biologjike dhe kimike - diçka më vdekjeprurëse dhe më e pakapshme sesa ricini, sarini, poloniumi dhe noviçoku që kemi parë të përdoren si mjete terrori gjatë gjysmës së shekullit të fundit. Në duart e një anëtari kulti apo fanatiku, ato mund të jenë kërcënimi më i madh nga gjithçka tjetër. /Telegrafi/