In Memoriam: Brigitte Bardot (1934-2025) - biondja që revolucionarizoi kinemanë franceze

Nga : Sam Woodhouse / BBC Përkthimi: Telegrafi.com Brizhit Bardo [Brigitte Bardot], e cila ka vdekur në moshën 91-vjeçare, fshiu nga kinemaja përshkrimin e ndrojtur të grave në kinemanë e viteve ’50 të shekullit XX, duke u bërë mishërim i një epoke të re të çlirimit seksual. Në ekran ajo ishte një përzierje franceze e hijeshisë lozonjare dhe sensualitetit kontinental. Një botim e quajti “princesha e zymtësisë dhe kontesha e joshjes”, por ishte një imazh të cilin ajo vazhdimisht e urrente. E prezantuar pamëshirshëm si një seks-simbol i hedonizmit, ajo ishte e zhgënjyer në ambicien e saj për t’u bërë aktore serioze. Më në fund, e braktisi karrierën e saj për të bërë fushatë për mirëqenien e kafshëve. Vite më vonë, reputacioni i saj u dëmtua kur bëri fyerje homofobike dhe u gjobit disa herë për nxitje të urrejtjes racore. Djali i saj gjithashtu e paditi për dëmtim emocional, pasi ajo tha se do të kishte preferuar të “lindte një qen të vogël”. Ishte një plagë në kujtesën e një ikone, e cila - në kulmin e saj - vuri bikinet, dëshirën femërore dhe kinemanë franceze në hartë. Ndihmoi që bikinet të pranoheshin në shoqërinë e viteve ’50 të shekullit XX: Foto bardhezi për fotografët e Festivalit të Kanës më 1953 (Lido/Shutterstock) Brizhit Ana-Mari Bardo [Brigitte Anne-Marie Bardot] lindi në Paris më 28 shtator 1934. Ajo dhe motra e saj, Marie-Jeanne, u rritën në një apartament luksoz në lagjen më të pasur të qytetit. Prindërit e saj katolikë ishin të pasur dhe të devotshëm dhe kërkonin standarde të larta nga fëmijët e tyre. Miqësitë e vajzave kontrolloheshin rreptësisht. Kur ato thyen vazon e preferuar të prindërve, u ndëshkuan me rrahje. Bardo, më 1946: Prindërit e saj donin që ajo të bëhej balerinë (Roger Viollet via Getty Images) Me gjermanët që pushtonin Parisin gjatë Luftës së Dytë Botërore, Bardo kalonte shumicën e kohës në shtëpi, duke kërcyer me disqe gramafoni. E ëma e inkurajoi interesin e saj dhe e regjistroi në klasa baleti që në moshën shtatëvjeçare. Mësuesi i saj në Konservatorin e Parisit e përshkroi si një nxënëse të shkëlqyer, dhe ajo vazhdoi të fitonte çmime. Jeta si vajzë e re Por, ajo e ndiente jetën klaustrofobike. Në moshën 15-vjeçare, ka thënë më vonë, “po kërkoja diçka, ndoshta një përmbushje të vetvetes”. Një mik i familjes e bindi të pozonte për kopertinën e revistës Elle - revista kryesore e grave në Francë, dhe fotografitë shkaktuan sensacion. Fotografitë e Bardos në kopertinat e revistave, riformësuan modën dhe konceptin e bukurisë (foto e vitit 1955) (Bettmann Archive/Getty Images) Në atë kohë, gratë me stil kishin flokë të shkurtër, aksesorë të kombinuar me kujdes, dhe xhaketa të qepura me veshje të mëndafshta nate. Flokët e Brizhitës vareshin në supe. Me trupin e hollë dhe atletik të një balerine, ajo nuk i ngjante aspak modeleve të tjera. E fotografuar në një seri veshjesh rinore dhe moderne, ajo u bë mishërimi i një stili të ri jeune fille (vajzë e re). Në moshën 16-vjeçare, ajo u perceptua si vajza më e famshme në kopertinat e Parisit. Fotot e saj tërhoqën vëmendjen e regjisorit të filmit Marc Allegret, i cili i dha urdhër ndihmësit të tij, Roger Vadim, ta gjente atë. Bardo përqafon Roger Vadimin, ndërsa ai është ulur në një tavolinë duke punuar në shtëpinë e tyre, më 1952: Ajo e dashuronte marrëzisht regjisorin aspirant Vadim (QUINIO/Gamma-Rapho via Getty Images) Provat në ekran nuk ishin të suksesshme, por Vadimi - gjashtë vjet më i vjetër - e mori nën kujdes, fillimisht si favorite, pastaj si të fejuarën e tij. Ata filluan një lidhje intensive, por kur prindërit e Bardos zbuluan lidhjen, kërcënuan ta dërgonin në Angli. Bardo e shtrirë në bar, në një pamje nga filmi “Nusja është shumë e bukur” [La mariée est trop belle] i vitit 1956: Roger Vadim ndihmoi gruan e tij adoleshente të niste karrierën kinematografike (S.N. Pathe Cinema/Getty Images) Roger Vadim, “ujku i egër” i saj Si kundërpërgjigje, ajo u përpoq t’ia merrte jetën vetes, por u zbulua dhe u ndalua në çastin e fundit. Brizhita ishte e mahnitur pas regjisorit aspirant. Atij i dukej si një “ujk i egër”. “Ai më shikonte, më frikësonte, më tërhiqte dhe unë nuk e dija më ku isha”, shpjegoi ajo më vonë. Bardo dhe Vadim, duke qëndruar pranë altarit, gjatë ceremonisë së tyre të martesës në dhjetor të vitit 1952 (Hulton Archive/Getty Images) Nën një presion të tillë, prindërit e saj u dorëzuan, por ia ndaluan çiftit të martohej deri sa Brizhita të mbushte 18 vjeç. Sapo ky prag u kapërcye, çifti u martua. Të bëhesh ikonë Vadimi filloi ta formësonte Bardon në yllin që ai besonte se ajo mund të bëhej. Ai ia shiti fotografitë e martesës së tyre revistës Paris-Match dhe e udhëzoi se si të sillej në publik. Ai e ndihmoi gruan e tij të re të gjente role të vogla në një duzinë filmash të parëndësishëm, shpesh duke luajtur tema dashurie të një femre tërheqëse, por të pafajshme. Por, deri në vitin 1956, ajo ishte kryesisht e famshme për pozimin me bikini - deri atëherë një veshje e ndaluar në Spanjë, Itali dhe pjesën më të madhe të Amerikës, për shkak se ishte në kufirin e skajshëm të mirësjelljes - dhe për popullarizimin e modelit të flokëve “koshere” [beehive]. Pastaj erdhi shpërthimi dhe roli që e bëri yll. Atë vit, filmi debutues i Vadimit, Dhe Zoti krijoi gruan [ Et Dieu... créa la femme ] u shfaq në Paris. Ai dështoi financiarisht në Francë, por shkaktoi trazira në Shtetet e Bashkuara. Bardo në plazh, në një skenë nga filmi “Dhe Zoti krijoi gruan”, veshur me një fustan pjesërisht të hapur nga fundi, që hapet për t’ia zbuluar kofshën, ndërsa qëndron pranë një burri të shtrirë me fytyrën poshtë (Marka/Universal Images Group via Getty Images) Në një vend të mësuar me aktoren Doris Day, Bardo ishte një sensacion. Personazhi i saj ndjek dëshirat e veta seksuale, pa turp, ashtu si burrat. Ajo vallëzon zbathur në një gjendje transi, me lëkurën që i shkëlqen nga djersa dhe me flokë të lëshuar lirshëm. Mungesa e saj e frenimit bëri që rendi shoqëror të shembet; jashtë kinemasë, reagimi ishte po aq i fortë. Filozofja ekzistencialiste Simone de Beauvoir e çmoi si ikonë të “lirisë absolute” - duke e ngritur Brizhitën në statusin e një filozofie. Por, u mobilizua shumica morale amerikane. Filmi u ndalua në disa shtete dhe gazetat e dënuan si të degjeneruar. Për publikun, Bardo u bë e pandashme nga personazhi që luante. Paris-Match e etiketoi si “imorale nga koka te këmbët”. Dhe, kur ajo iku me aktorin tjetër të filmit, Jean‑Louis Trintignant, imazhi i saj si libertine e shfrenuar u bë i pashmangshëm. Brizhit Bardo, në një plazh shkëmbor, në një pamje nga filmi “Manina, vajza në bikini” [Manina, la fille sans voiles] me regji të Willy Rozierit, më 1958 (Atlantis Films/Pictorial Parade/Courtesy of Getty Images) Ajo u divorcua nga Vadimi, i cili reagoi ashtu siç vetëm një francez mund të reagojë. “Preferoj të kem një grua të tillë”, tha ai, “duke e ditur që është e pabesë, sesa të zotëroj një grua që më do vetëm mua dhe askënd tjetër.” Ai vazhdoi të punonte sërish me Bardon dhe më vonë jetoi me aktore Catherine Deneuve dhe u martua me aktoren Jane Fonda. Një nënë e pavullnetshme Në vitin 1959, Brizhita - pas disa lidhjesh dashurie - u martua me aktorin Jacques Charrier, me të cilin luajti në filmin Babeta shkon në luftë [ Babette s'en va-t-en guerre ]. Çifti pati një djalë, Nicolasin, por Bardo e urrente shtatzëninë e saj: e godiste vazhdimisht veten në bark dhe i lutej një mjeku për morfinë që të shkaktonte abort. “E shikoja barkun tim të sheshtë dhe të hollë në pasqyrë si një mik të dashur mbi të cilin isha gati të mbyllja kapakun e arkivolit”, ka thënë ajo më vonë. Brizhit Bardo, veshur me këmishë nate, duke mbajtur djalin e saj: Bardo më vonë u padit nga i biri për dëmtim emocional (AFP via Getty Images) Pas divorcit të pashmangshëm, Nicolasi nuk e pa nënën e tij - për dekada. Ai e paditi Bardon për dëmtim emocional kur ajo botoi një autobiografi në të cilën shprehej se do të kishte preferuar të “lindte një qen të vogël”. Brizhita ishte tani aktorja më e paguar në Francë, dhe disa sugjeronin se ajo kishte më shumë vlerë për tregtinë e jashtme sesa industria franceze e makinave. Por, ajo donte të merrej seriozisht si aktore. “Nuk kam pasur shumë mundësi për të aktruar”, ankohej ajo, “kryesisht më është dashur të zhvishem”. Ajo filloi të tërhiqte vëmendjen e regjisorëve më të respektuar të Evropës, duke marrë lëvdata për dramën e fuqishme të Valës së Re të regjisorit Jean-Luc Godard, Neveria [ Le Mépris ]. Por, cilësia e përgjithshme e veprave të saj ishte e përzier, veçanërisht kur e sprovoi veten jashtë Francës dhe në Holivud. Një martesë e tretë, me një plejboj milioner gjerman, u pasua nga një sërë dashnorësh - ndonëse, në mënyrë të pazakontë, ajo refuzoi aktorin Sean Connery. Bardo u lodh nga imazhi i saj si seks-simbol dhe hoqi dorë nga aktrimi për të bërë fushatë për mirëqenien e kafshëve (Bettmann Archive/Getty Images) Ajo realizoi dhjetëra disqe muzikorë, përkrah kantautorëve Serge Gainsbourg dhe Sacha Distel. Me Gainsbourgun incizoi këngën provokuese Të dua ... as unë nuk të dua [ Je T’aime ... Moi Non Plus ], ndonëse iu lut atij të mos e publikonte. Një vit më vonë, ai e incizoi sërish atë këngë me aktoren britanike Jane Birkin. Kënga u bë hit i madh në gjithë Evropën, ndërsa versioni i Bardos qëndroi i pazbuluar për 20 vjet. Aktiviste për të drejtat e kafshëve Pas gati 50 filmash, më 1974 njoftoi se po tërhiqej për t’ia kushtuar jetën mirëqenies së kafshëve. “Ia dhashë bukurinë dhe rininë time burrave”, tha ajo. “Kafshëve do t’ua jap tash mençurinë dhe përvojën time”. Brizhit Bardo duke parë një nga 50 ujqërit hungarezë që shpëtoi (Philippe Caron/Sygma/Getty Images) Ajo mblodhi tre milionë franga për të themeluar Fondacionin “Brigitte Bardot”, duke nxjerrë në ankand bizhuteritë dhe kujtimet e saj filmike. Bardot - ose B.B., siç njihej në Francë - bëri fushatë kundër therjes vjetore të fokave në Kanada dhe zemëroi disa bashkëkombës të saj duke dënuar ngrënien e mishit të kalit. Ajo u bë vegjetariane, sulmoi qeverinë kineze për “torturimin” e arinjve dhe shpenzoi qindra-mijëra për një program sterilizimi të qenve endacakë në Rumani. Brizhit Bardo duke mbajtur dy pankarta teksa protestonte kundër tregtisë së gëzofit (Sygma via Getty Images) Një fund i trazuar për një jetë të trazuar Në vitet e mëvonshme, ajo u ndoq disa herë penalisht për urrejtje racore. Ajo kundërshtoi mënyrën se si besimet islame dhe hebraike therin kafshët për ushqim. Por, mënyra se si ajo e shprehu kritikën e saj ishte e pafalshme dhe - në fakt - e paligjshme. Në vitin 1999, ajo shkroi se “atdheu im është pushtuar nga një mbipopullim i të huajve, veçanërisht myslimanëve”. Kjo e çoi Bardon drejt një gjobe të madhe. Ajo vazhdoi të kritikonte martesat ndër-racore dhe të fyente burrat homoseksualë të cilët, sipas fjalëve të saj, “tundin të pasmet, ngrenë gishtat e vegjël në ajër dhe me zëra të hollë si kastratët ankohen për vuajtjen që ua kanë shkaktuar ata heteroseksualë të tmerrshëm”. Ajo ishte aq shpesh në gjykatë saqë, në vitin 2008, prokurori deklaroi se ishte “lodhur” duke e ndjekur penalisht. Bardo jashtë Pallatit Elize (Gilles BASSIGNAC/Gamma-Rapho via Getty Images) Në vitet ’60 të shekullit XX, Brizhit Bardo u zgjodh si fytyra zyrtare e Marianës - emblemës së lirisë franceze. Më pas, vetë ajo u bë ikonë: një grua e bukur, e çliruar, moderne, e cila refuzoi të përshtatej me stereotipat e vjetruar. Pas tri martesash të dështuara dhe disa tentativash për vetëvrasje, ajo hoqi dorë nga qendra e vëmendjes për të bërë fushatë kundër mizorisë ndaj kafshëve. Për habinë e saj, magjepsja e mediave ndaj saj vazhdoi, edhe kur fama u kthye në nam të keq. Ajo ka lënë pas bashkëshortin e saj të katërt, Bernard d’Ormale - ish‑këshilltar i politikanit të ndjerë të ekstremit të djathtë, Jean‑Marie Le Pen. Dhe, në një fund të trazuar për një jetë të trazuar, pikëpamjet politike të Bardos bënë që ajo t’i kalonte vitet e fundit në një gjysmë izolim, duke u përballur me akuza për urrejtje racore në gjykata. /Telegrafi/