BDI sot akuzon VLEN-in se po përpiqet të paraqesë një realitet të rremë përmes statistikave të manipuluara dhe triumfalizmit artificial, ndërkohë që në terren po ndodh e kundërta: përjashtim i shqiptarëve nga institucionet shtetërore. "Avokati i Popullit e konfirmon qartë se rritja e përfaqësimit të shqiptarëve ka ndodhur deri në tetor të vitit 2024, pra përderisa ishte në fuqi mekanizmi i balancuesit. Çdo shifër pozitive në raportin për vitin 2024 është rezultat direkt i këtij mekanizmi kushtetues, i ndërtuar dhe i mbrojtur nga BDI, e jo i ndonjë politike apo angazhimi të VLEN-it. Ndërkohë, pas shfuqizimit të balancuesit, realiteti në institucione flet ndryshe. Vetëm para një jave, shtatë shqiptarë me vendime të përhershme pune janë larguar pa asnjë arsye ligjore, nën përgjegjësinë direkte të ministrit Stoillkoviq, ndërsa VLEN hesht. Edhe më alarmante është se në mesin e të larguarve ka edhe invalid të luftës, çka përbën një padrejtësi të rëndë ligjore, morale dhe kombëtare. VLEN premtoi se do t’i “mbronte administratorët shqiptarë. Sot është e qartë se nuk ka as zë, as guxim dhe as vullnet politik për t’u dalë në mbrojtje. Heshtja e tyre përballë këtyre largimeve arbitrare është bashkëfajësi politike. Ironia politike arrin kulmin kur VLEN, bashkë me OBRM-PDUKM-në, sulmonte balancuesin, ndërsa sot përfitimet e tij i paraqet si sukses të vetin. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e balancuesit në tetor të vitit 2024, që ata e shpallin si “fitore”, nuk është gjë tjetër veçse realizim i drejtpërdrejtë i programit parazgjedhor të OBRM-PDUKM-së, i kopjuar fjalë për fjalë edhe në programin qeveritar të dorëzuar në Kuvend në vitin 2024", thonë nga BDI. Nga BDI thonë se “Ligj për përfaqësim të drejtë” nuk garanton përfaqësim të shqiptarëve. "Sa i përket të ashtuquajturit “Ligj për përfaqësim të drejtë” të Karakamishevës, BDI e bën të qartë se ky ligj, në formën aktuale, jo vetëm që nuk garanton përfaqësim, por e minon tërësisht atë. Ai: nuk parasheh kuota etnike; nuk parasheh identifikim etnik të qytetarëve; nuk ka mekanizma zbatimi për realizimin e vlerës kushtetuese të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat; dhe nuk përmban asnjë dispozitë sanksionuese, duke e bërë ligjin të pazbatueshëm dhe vetëm dekor politik", shtojnë nga BDI./Telegrafi/