Lumezi refuzon emërimin si Zëvendës-Kryeprokuror i Shtetit

Prokurori Aleksandër Lumezi ka njoftuar se nuk do të pranojë propozimin për të marrë detyrën e Zëvendës-Kryeprokurorit të Shtetit. Përmes një komunikimi dërguar ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, Lumezi ka sqaruar se angazhimet e tij aktuale në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, si dhe pjesëmarrja në Komisionin për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve, nuk e lejojnë të përmbushë përgjegjësitë e reja. Ai ka theksuar se vendimi i tij nuk reflekton mungesë vlerësimi ndaj propozimit, por është rezultat i një shqyrtimi të kujdesshëm të angazhimeve profesionale dhe kapaciteteve të tij. “Pas një analizë të detajuar të përgjegjësive dhe obligimeve që kërkon kjo pozitë, kam vendosur që nuk mund ta pranoj këtë detyrë në këtë moment. Angazhimet e mia aktuale si prokuror dhe roli im në Komisionin për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve e bëjnë të pamundur këtë angazhim”, ka shkruar Lumezi në letrën drejtuar Kryeprokurorit në detyrë. Ky vendim vjen pas propozimit të Kryeprokurorit të Shtetit për emërimin e Lumezit në një nga postet më të larta në sistemin prokurorial të Kosovës. / Telegrafi /