Kurti falënderon qytetarët për mbështetjen në zgjedhjet e 28 dhjetorit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e tyre gjatë zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, duke e cilësuar fitoren si historike. Në një postim në rrjetin social Facebook, Kurti ka theksuar angazhimin e qytetarëve gjatë fushatës dhjetëditore, përfshirë takimet dhe tubimet në të gjithë vendin, si dhe kontributin e diasporës që mori pjesë përmes votës me postë ose në ambasada dhe konsullata. “Ju falënderoj përzemërsisht për ngrohtësinë dhe besimin tuaj. Angazhimi juaj i pa kursim e bëri fitoren tonë të madhe dhe historike,” ka shkruar Kurti. Ai gjithashtu ka premtuar se pas fitores, puna për të rritur sigurinë dhe begatinë e qytetarëve do të vazhdojë pa ndërprerje. / Telegrafi /