Dhoma e Tregtisë uron LVV-në për fitoren dhe kërkon fokus në sfidat ekonomike

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës (DhTIK) ka përshëndetur përmbylljen e suksesshme të procesit zgjedhor dhe demokratik në Republikën e Kosovës. “Në emër të komunitetit të biznesit, i urojmë fitore fituesit të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit, z. Albin Kurti dhe i dëshirojmë suksese në udhëheqjen e institucioneve të vendit,” thuhet në reagimin e Dhomës së Tregtisë. DhTIK ka shprehur pritjet për formimin e shpejtë të institucioneve dhe për orientimin e qeverisë së re drejt ekonomisë. “DhTIK pret formimin e shpejt të institucioneve të reja dhe që qeveria e re të ketë fokus në tejkalimin e shumë sfidave me të cilat është duke u përballur ekonomia,” thuhet më tej. Në reagim theksohet edhe gatishmëria për bashkëpunim me institucionet shtetërore. “Dhoma mbetet e përkushtuar në vazhdimin e angazhimit të saj tradicional të qenit një partner aktiv dhe konstruktiv i institucioneve në të mirë të zhvillimit të përgjithshëm të Kosovës,” vlerëson DhTIK. Sipas Dhomës së Tregtisë, bashkëpunimi mes qeverisë dhe sektorit privat është thelbësor për zhvillimin ekonomik. “Besojmë shumë se dialogu i hapur ndërmjet qeverisë dhe sektorit privat është çelësi për një Kosovë më të fortë ekonomikisht dhe më të qëndrueshme për qytetarët e saj,” përfundon reagimi. /Telegrafi/