Pse gratë në Spartë duhej të mësonin të zhveshura (ndërsa burrat shikonin)

Historiani Andrew Bayliss paralajmëron komentuesit modernë që të mos e barazojnë me “çlirim” arsimin e detyrueshëm për gratë në Spartë. Nga: Harry Sidebottom / The Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com Spartanët gëzojnë një imazh të lartë në imagjinatën popullore moderne: të guximshëm dhe të bindur, i paramendojmë si luftëtarë të pathyeshëm për liri, me aftësi për fraza të zgjuara të denja për një film të Clint Eastwoodit. Por, realiteti, siç e thekson Andrew Bayliss në hyrje të historisë së tij interesante, Sparta: Ngritja dhe rënia e një superfuqie të lashtë [ Sparta: The Rise and Fall of An Ancient Superpower ], është shumë më i vështirë për t’u rindërtuar. Përveç disa qindra vargjeve të poetëve Tirteu dhe Alkman, të gjitha burimet tona të lashta janë shkruar nga grekë të tjerë, zakonisht athinas. Siç ka thënë Tukididi, detyra e këtyre të jashtmëve bëhej edhe më e vështirë nga fshehtësia maniake e spartanëve. Një pengesë tjetër ishte ideologjia spartane se qyteti i tyre ishte i pandryshueshëm, gjë që e bën të vështirë ndërtimin e një narrative historike. Por, mbretëria spartane nuk ka qenë gjithmonë një fuqi ndërkombëtare. Ngjarja që e shtyu në këtë drejtim ishte pushtimi i Mesenisë fqinje në mesin e shekullit të shtatë para Krishtit (edhe pse mungesa e burimeve e bën këtë disi të paqartë). Ky aneksim i dha Spartës një territor shumë më të madh se cilido qytet tjetër grek i përçarë nga grindjet e brendshme. Kryesorja, spartanët i ulën mesenianët, grekë si ata, në statusin e helotëve - zakonisht të përkthyer si “bujq të lidhur me tokën”, megjithëse “skllevër” mund të jetë term më i përshtatshëm. Puna e helotëve ua mundësoi spartanëve të ndërtonin sistemin e tyre të ashpër dhe pederast të edukimit shtetëror, agoge, dhe të përkushtoheshin tërësisht për të qenë luftëtarë gjatë gjithë kohës. Ky sistem shërbeu edhe për të zgjidhur një debat, kur aleatët e Spartës u ankuan se po siguronin më shumë trupa për ushtrinë sesa vetë spartanët. Mbreti spartan, Agesilau, urdhëroi ushtarët e tij të uleshin: pastaj, për një nga një, kërkoi që të ngriheshin të gjithë ata që merreshin me ndonjë zanat - nga poçarët te farkëtarët. Pas pak, thuajse të gjithë aleatët ishin në këmbë, ndërsa spartanët ishin ende ulur. “Shihni”, tha Agesilau, “se sa më shumë ushtarë dërgojmë ne krahasuar me ju”. Gratë spartane, në sytë e grekëve të tjerë, ishin më të çuditshme. Ato nuk kishin frikë të qortonin burrat publikisht, zakonisht për qyqarllëk. Kur djemtë nuk po tregonin zellin e pritur luftarak, një nënë spartane ngrinte fustanin dhe pyeste nëse donin të ktheheshin aty nga kishin ardhur. Gratë ndiqnin versionin e tyre të agogesë dhe mund të zotëronin prona dhe toka. Më të pasurat madje dërgonin skuadra qerresh për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike. Megjithatë, siç tregon Bayliss, kjo nuk duhet kurrsesi të çojë komentuesit modernë në përfundimin se gratë spartane ishin veçanërisht të “çliruara”. Ato ishin në thelb si makina për riprodhim. Agogeja e tyre ishte ndërtuar për t’i bërë të afta fizikisht dhe të shëndetshme për të lindur brezin tjetër të luftëtarëve spartanë; ishte e detyrueshme, dhe disa elementë të ushtrimeve, sipas burimeve të mëvonshme, kryheshin lakuriq teksa burrat qytetarë shikonin. (Plutarku pohon se kjo i nxiste burrat spartanë të martoheshin nga “nevoja dashurore”.) Është e njohur se një burrë spartan mund t’ia huazonte gruan e tij një qytetari tjetër për të pasur fëmijë. Asgjë në burimet tona nuk sugjeron se gruaja kishte ndonjë të drejtë fjale në këtë marrëveshje. Përveç fuqisë së luftëtarëve të saj, Sparta ishte veçanërisht e papërshtatshme për t’u bërë superfuqi, duke mbajtur që në fillim farat e rënies së vet. Sparta kishte dy mbretër, nga dy dinasti të ndryshme; ata shpesh grindeshin dhe përdoreshin nga qytetarët e pakënaqur për të sabotuar njëri-tjetrin - madje ndonjëherë për t’i përmbysur. Këshilli i pesë eforëve (magjistratëve kryesorë) ndërrohej çdo vit. Kështu, zbatimi i një strategjie të qëndrueshme afatgjate ishte i pamundur. As në zonën e saj brenda Peloponezit, Sparta nuk ishte e sigurt. Kurrë nuk arriti ta nënshtronte rivalin e saj lokal - qytetin e Argosit që u bë qendër e kundërshtimit. Ekzistenca e helotëve gjithashtu shtonte pasiguri në politikën e jashtme. Nga njëra anë ishte argumenti se, meqë helotët kryenin punën duke u dhënë kohë spartanëve për t’u përkushtuar për të qenë ushtarët më të mirë në botë, Sparta do të duhej ta përdorte avantazhin e saj ushtarak për të ndërtuar një perandori. Nga ana tjetër, spartanët ishin plotësisht të vetëdijshëm se helotët i urrenin, donin “t’i hanin të gjallë”, prandaj qytetarët duhej të rrinin në shtëpi për t’i mbajtur nën kontroll. Por, problemi më i madh i Spartës ishte veçantia e saj. Ishte e lehtë të humbje statusin e qytetarit nëse dështoje në sprovat e agogesë, ose tregoje frikë në betejë. Nga ana tjetër, ngritja e të tjerëve në statusin e qytetarit ndodhte rrallë dhe vetëm në raste emergjencash të mëdha ushtarake. Kështu, me kalimin e kohës, numri i spartanëve ra me shpejtësi. Fillimisht, zyrtarët spartanë besonin se pas ndarjes së tokës së Mesenisë, kishin nëntë mijë homojojë (qytetarë elitarë). Në betejën e Platesë më 479 para Krishtit, morën pjesë pesë mijë. Në Mantinea, më 418 para Krishtit, ishin vetëm pak më shumë se dy mijë dhe në Leuktra, më 371 para Krishtit, më pak se një mijë. Dëmtues edhe më i madh për jetëgjatësinë e Spartës ishte zakoni i trashëgimisë së barabartë. Tokat e një qytetari duhej të prodhonin mjaftueshëm për të kontribuar në “mes” [darka e përbashkët e ushtarakëve]. Nëse një spartan kishte disa fëmijë, pas dhënies së pajës për vajzat ishte e mundshme që djemtë nuk do të trashëgonin tokë të mjaftueshme për të ruajtur statusin apo qytetarinë. Pasi Epaminonda nga Teba çliroi mesenianët më 369 para Krishtit - pavarësisht përpjekjeve për reforma radikale në shekullin III para Krishtit - Sparta mori fund si fuqi e madhe. Në kohët romake, ajo u shndërrua në një qytet turistik, një version “Diznilendi” i vetes së saj të dikurshme. Bayliss ofron një rrëfim tradicional politik dhe ushtarak, të shkruar me një gjuhë të lexueshme, dhe të informuar nga një lexim i ndjeshëm i burimeve të lashta dhe nga një njohje e thellë e studimeve moderne. Megjithatë, një kritikë e vogël i drejtohet botuesit. Lexuesit që duan të mësojnë më shumë për Spartën - dhe Bayliss do t’i frymëzojë shumë për ta bërë këtë - nuk shërbehen mirë me shënimet fund të librit, të cilat rrallëherë përmendin ndonjë studim bashkëkohor, ndërsa bibliografia e përzgjedhur është tepër e shkurtër. Shumë shpesh botuesit tremben se mos i frikësojnë lexuesit, duke i nënvlerësuar ata. Duhet t’u besojnë më shumë - ka apetit të mjaftueshëm për dije më të thella. /Telegrafi/