Garancitë e sigurisë së SHBA-së për Ukrainën janë përcaktuar për një periudhë 15-vjeçare, me mundësi zgjatjeje. Kështu u ka thënë Volodymyr Zelensky gazetarëve të hënën, duke dhënë më shumë detaje rreth asaj që u diskutua dhe u ra dakord në takimin e tij me presidentin e SHBA-së, Donald Trump të dielën në Florida. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp pas bisedimeve në Mar-a-Lago, presidenti ukrainas tha se garancitë e sigurisë së SHBA-së për Ukrainën ishin "100% të dakorduara". "Kemi arritje të mëdha, plani i paqes me 20 pika është 90% i dakorduar dhe garancitë e sigurisë SHBA-Ukrainë janë 100% të dakorduara", u tha Zelensky gazetarëve. "Garancitë e sigurisë së SHBA-së, Evropës dhe Ukrainës janë pothuajse të dakorduara. Dimensioni ushtarak është 100% i dakorduar", ka shtuar ai. Më vonë ai i shpjegoi një grupi gazetarësh se garancitë janë me të vërtetë "të forta, megjithëse "për momentin, ato nuk janë të përhershme". "I thashë (Trump) se lufta ka vazhduar për gati 15 vjet dhe ne do të donim që garancitë të ishin më të gjata", theksoi Zelensky. "I thashë atij se do të donim të merrnim në konsideratë garancitë për 30, 40 apo edhe 50 vjet dhe ky do të ishte një vendim historik nga Presidenti Trump. Presidenti tha se do të mendonte për këtë". "Pa garanci sigurie, realisht, kjo luftë nuk do të mbarojë". Ndryshe, të dy presidentët thanë se nuk ka afat për hapat e ardhshëm në plan, me Trump që tregoi se pret të shohë më shumë përparim brenda disa javëve të ardhshme. Takimi i radhës në nivel këshilltarësh midis përfaqësuesve të SHBA-së, Ukrainës dhe Evropës do të zhvillohet "në ditët në vijim", tha Zelensky, duke shtuar se Kievi ka kontaktuar tashmë të gjithë këshilltarët e përfshirë në proces. / Telegrafi /