Maqedonia siguroi 13.56 milionë euro grant mjete shtesë në kuadër të Projektit për lehtësimin e tregtisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor. Marrëveshja e grantit midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bankës Botërore, e cila vepron si institucioni kryesor financiar për Kornizën e Investimeve në Ballkanin Perëndimor – Programi i transportit të sigurt dhe të qëndrueshëm, u nënshkrua nga ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska dhe drejtoresha e Bankës Botërore për Republikën e Maqedonisë së Veriut, Carole Megevand, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave. "Sot po nënshkruajmë marrëveshjen e grantit, me qëllim të përmirësimit të efikasitetit dhe parashikueshmërisë së transportit të Korridorit 10. Ky është një nga komponentët e Projektit për lehtësimin e tregtisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor, qëllimi përfundimtar i të cilit është rritja e efikasitetit të transportit në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në rajon. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, me ç’rast ne si Qeveri e kemi prioritet të rëndësishëm, ndërsa vetë projekti do të mundësojë lehtësimin e tregtisë dhe do të ulë kostot për subjektet ekonomike", tha ministrja e Financave. Aj theksoi se Qeveria po punon për përmirësimin e kushteve ekonomike në përgjithësi, me qëllim të arritjes së rritjes më të shpejtë ekonomike. Drejtoresha e Bankës Botërore për RMV-në, Carole Megevand tha se investimi në infrastrukturën moderne rrugore dhe korridoret e tranzitit është jetik për rritjen ekonomike të Maqedonisë së Veriut. "Investimi në infrastrukturën moderne rrugore dhe korridoret e tranzitit është jetik për rritjen ekonomike të Maqedonisë së Veriut në përforcimin e zinxhirëve të vlerës, hapjen e tregjeve, uljen e kostove të bizneseve dhe tërheqjen e investimeve të huaja. Këto përmirësime do t’i ndihmojnë vendit si në krijimin e vendeve të reja të punës po ashtu edhe në krijimin e ekonomisë konkurruese dhe rezistente. Kjo iniciativë është kruciale për reformat e vendit për qasjen në BE dhe në pajtim me legjislacionin e BE-së dhe Strategjinë e qëndrueshmërisë dhe mobilitetit të mençur për Ballkanin Perëndimor”, tha Carole Megevand. Njëkohësisht, mjetet e destinuara për vendosjen e Sistemit të Transportit Inteligjent (STI) të Korridorit 10, në vendkalimin kufitar Tabanocë, deri te nyja jugore Veles, që përfshin përkrahjen për vendosjen dhe pajisjen e qendrës nacionale për menaxhimin e trafikut me zgjidhjet e nevojshme të sistemit STI gjatë gjithë Korridorit 8 dhe 10, duke përfshirë edhe Korridorin 10D. Më konkretisht, do të vendoset sistemi për mbledhjen e të dhënave për qarkullimin e trafikut; sistemi për monitorimin e ngarkesës së lëvizjes (WIM), elementët për kontrollin e lartësisë së automjeteve që futen në autostradë, sistemi për mbledhjen e të dhënave për kushtet atmosferike gjatë gjithë gjatësisë së autostradës, si dhe sistemi për monitorimin e transportit të materialeve të rrezikshme (HAZMAT). Aktivitet po realizohen në kuadër të Projektit për lehtësimin e tregtisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor, me vlerë të përgjithshme prej 26.2 milionë eurove. Vlera investuese e këtij komponenti është 29.9 milionë euro, nga të cilat 13.56 milionë euro janë mjete grant, ku është nënshkruar marrëveshje dhe 16.4 milionë euro janë hua e marrë nga Banka Botërore. Projekti po zbatohet nga Ministria e Transportit. /Telegrafi/