Ter Stegen do të mbetet në La Liga, mësohet cilës skuadër do t'i bashkohet

Marc-Andre ter Stegen dëshiron të qëndrojë te FC Barcelona, por për të mbajtur gjallë shpresat për pjesëmarrje në Kupën e Botës me Gjermaninë, portieri 33-vjeçar mund të largohet përkohësisht në formë huazimi dhe destinacioni duket gjithnjë e më i qartë. Sipas raportimeve të mediave katalanase, kalimi i ter Stegen te Girona po merr formë. Gazeta “Sport” shkroi se transferimi është “në rrugë të mbarë”, ndërsa edhe “Mundo Deportivo” tashmë e konsideron opsion real një huazim deri në fund të sezonit. Girona paraqitet si zgjidhja ideale: klubi ndodhet pranë Barcelonës, kështu që portieri nuk do të duhej të ndryshonte ambient apo të largohej nga familja. Për më tepër, atij do t’i garantohej roli i titullarit, pasi portieri kroat Dominik Livakovic pritet të largohet. Megjithatë, një pengesë mbetet paga e lartë e ter Stegen, e cila i dekurajon shumë klube. Girona, falë marrëdhënieve të mira me Barcelonën dhe mbështetjes së City Football Group, mund të arrijë marrëveshje ku blaugranat do të mbulojnë një pjesë të konsiderueshme të pagës. Në javët e ardhshme pritet të qartësohet nëse Barcelona dhe Girona do të arrijnë kompromisin përfundimtar — dhe nëse huazimi do të jetë hapi vendimtar për ambiciet e ter Stegen në skenën ndërkombëtare. /Telegrafi/