Lumezi nuk e pranoi propozimin, KPK e heq nga rendi i ditës

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka tërhequr nga rendi i ditës propozimin e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Shtetit për emërimin e zëvendëskryeprokurorit të kësaj zyre, pas refuzimit të kandidatit të propozuar. Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, kishte propozuar Aleksandër Lumezin për këtë pozitë, duke u bazuar, siç tha ai, në përvojën e tij të gjatë profesionale dhe pas konsultimeve paraprake. Megjithatë, gjatë ditës u raportua se Lumezi nuk e ka pranuar propozimin. Pas tërheqjes së kandidaturës, Qalaj deklaroi se e respekton vendimin e Lumezit dhe se për rrjedhojë është tërhequr edhe propozimi nga rendi i ditës së KPK-së. Ai shtoi se çështja e emërimit të zëvendëskryeprokurorit të Shtetit do të rishqyrtohet në të ardhmen. “"Pas propozimit qe kam bërë dhe kam propozuar Aeksandër Lumezin me konsultim dhe me të duke u bazuar edhe në përvojën e tij te gjatë, e kam parë të arsyeshme qe ta propozojë si zëvendës, mirëpo meqë e ka spjeguar situatën me letrën e tij dhe unë e tespektoj vullnetin e tij dhe tërhiqem nga propozimi për zëvendës të prokurorit të ahtetut në të ardhmen do te shohim", tha ai. Vendimi i KPK-së lë të hapur procesin për përzgjedhjen e një kandidati tjetër për këtë pozitë të rëndësishme në sistemin prokurorial të vendit, në një periudhë kur institucionet e drejtësisë janë në fokus të reformave dhe vëmendjes publike./kp/