Pep Guardiola i ka dërguar një paralajmërim të qartë Arsenalit, liderit aktual të Ligës Premier, duke insistuar se Manchester City ka kaluar problemet që e penguan sezonin e kaluar, ndërsa çdo shpjegim tjetër që fajëson taktikat e tij e ka cilësuar si “budallallëk”. Pas një sezoni historik 2023/24, kur City u bë skuadra e parë në historinë e futbollit anglez që fitoi katër tituj radhazi në elitë, ambicia për një titull të pestë radhazi u shua sezonin pasues. Një seri prej vetëm një fitoreje në Ligën Premier gjatë nëntë ndeshjeve, nga 2 nëntori deri më 26 dhjetor, përfshirë gjashtë humbje, e rrëzoi përfundimisht Cityn nga gara për titull. Në fund, skuadra e Guardiolës përfundoi 13 pikë pas kampionëve Liverpool dhe ëndrra për një rekord absolut u mbyll. Këtë sezon, ndërsa Arsenali synon më në fund ta thyejë mallkimin pas tri vendeve të dyta radhazi dhe të fitojë titullin e parë pas 22 vitesh, Manchester City është rikthyer fuqishëm. Skuadra e Guardiolës ndodhet vetëm dy pikë prapa “Topçinjve”, pasi ka fituar gjashtë ndeshjet e fundit në Ligën Premier dhe tetë radhazi në të gjitha garat, duke grumbulluar 33 pikë nga 39 të mundshme. Guardiola ka qenë i prerë se arsyeja kryesore e rënies dhe ringritjes së Cityt nuk ka lidhje me skemat apo zgjedhjet taktike, por me një element shumë më bazik, pra energjinë. “Energji, energji, energji. Unë i pari”, ka shtuar ai, duke e përfshirë veten në përgjegjësinë për mungesën e saj. “Ne e humbëm sezonin e kaluar. Pastaj filluam të stërviteshim më mirë, të konkurronim më mirë. Pas kësaj mund të flasim për tre mbrojtës, katër mbrojtës, anësorë apo mbrojtës krahu – të gjitha këto janë budallallëqe. Na duhej të rikthenim energjinë dhe pastaj krijohet një ambient i mirë”. Sipas Guardiolës, nëse energjia mungon, çdo plan taktik bëhet i parëndësishëm. “Diçka ishte në mjegull në Manchester, rreth qendrës sonë stërvitore”. “Na mungonte diçka. Nuk është se energjinë e ndez apo e fik si një çelës. Trajnerët nuk janë magjistarë që mjafton të këpusin gishtat dhe gjithçka bëhet e qartë. Ndonjëherë të duhet kohë. Fitoret ndihmojnë për ta përshpejtuar këtë proces”. Guardiola nuk ka dashur ta marrë meritën personale për formën e rikthyer të Cityt këtë sezon. Ai ka theksuar se një rol të madh kanë pasur komunikimi i vazhdueshëm dhe bashkëpunimi brenda klubit. “U kthyem dhe thamë se diçka kishte ndryshuar. Diçka që e ndjen”. “Nuk do të thotë se patjetër do të fitosh, por që je në gjendje ta njohësh skuadrën tënde. Tani janë tetë fitore radhazi në të gjitha garat. Nuk është e lehtë, por ne po garojmë në mënyrën tonë. Duhet të përmirësohemi, patjetër, por ky mentalitet është shumë më i mirë”./ Telegrafi