Lidhur me Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvend të Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025, deri më tani janë parashtruar gjithsej 56 ankesa. Kështu ka bërë të ditur Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për Telegrafin. Sipas PZAP-it, 49 nga këto ankesa tashmë janë shqyrtuar nga institucionet përgjegjëse, ndërsa pjesa tjetër mbetet ende në proces të trajtimit. Në të dhënat e publikuara nga PZAP lidhur me procesin zgjedhor të 28 dhjetorit 2025, bëhet e ditur se ankesat e paraqitura kanë përfshirë një numër të konsiderueshëm subjektesh politike, me status “Në progres” për shumicën e rasteve. Në regjistrin aktual të rasteve të publikuara, përfshihen ankesa që lidhen me shkelje të ndryshme të rregullave zgjedhore, përfshirë: Shkelje të heshtjes zgjedhore, të paraqitura nga subjekte politike si Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kundër Lëvizjes Vetëvendosje, por edhe anasjelltas, për shkelje të rregullave të heshtjes zgjedhore në disa komuna; Përdorim të pasurisë ose pozitës publike për përfitim votash, si ankesa e paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje kundër Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), lidhur me përdorimin e pasurive publike gjatë fushatës zgjedhore; Vendosje të materialeve zgjedhore në hapësira publike, si dhe çështje të tjera të ndërlidhura me fushatën zgjedhore./Telegrafi.