Intervistoi: Eraldo Xhelili Rrugëtimi i Stelës dhe skandalet e tregut imobiliar në Shqipëri. Për herë të parë prononcohet realtor Stela Tata, që e ndërtoi karrierën e saj mes Tiranës, Irakut dhe New York-ut. Eraldo: Stela, më thuaj: pse tani? Pse ishte pikërisht ky momenti që ti pranove të japësh një intervistë publike? Stela: Së pari, faleminderit për ftesën për intervistë, është kënaqësi për mua të intervistohem nga ju. Së dyti, arsyeja që unë kam zgjedhur të flas në këtë moment është sepse mendoj se kam arritur një farë pjekurie dhe kam ndërtuar një karakter më të fortë. Kjo si pasojë e eksperiencave të mia sociale dhe profesionale midis kulturave të ndryshme, si shqiptare, europiane, lindje e mesme dhe perëndimore, ku jam stacionuar sot si agjente imobiliare. Është një kompleksitet faktorësh që më kanë bërë të ndihem gati tani dhe mendoj që është një temë shumë e gjatë për ta përmbledhur në një përgjigje. Megjithatë, dua të them që vjen një moment ku ti e ndien së brendshmi që je gati, dhe për mua ky ishte momenti. Eraldo: Stela, njerëzit që do të na lexojnë duan të dinë të vërtetën: Pse u largove nga Tirana, nga Shqipëria? Çfarë ndodhi? Stela: Është temë delikate kjo, pasi prek jo vetëm një brez, por më shumë. Por meqë po më kërkohet e vërteta dhe unë e ndiej detyrimin moral për ta thënë… Pasi u ktheva nga Gjermania pas studimit të gjuhës gjermane, u riktheva në Shqipëri. Aty studiova për degën Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci. Është një degë shumë e bukur dhe të rrit goxha pritshmëritë mbi të ardhmen profesionale, por realiteti shqiptar nuk përputhet me këto pritshmëri. Pasi përfundova studimet Bachelor, fillova të aplikoja në disa vende. Madje, në shumë vende kam shkuar me referim, por nuk mora asnjë përgjigje. Kjo situatë zgjati gati një vit. Ky lloj realiteti më rëndoi emocionalisht. Ky ka qenë momenti kur më lindi ideja të aplikoja për punësim jashtë vendit tim. Meqë e vërteta duhet thënë, le ta themi: unë, pasi aplikova në një kompani turke për air conditioning & fans , u kualifikova direkt. Edhe pse e dhimbshme për t’u thënë, u prita shumë herë më mirë nga të panjohur sesa nga të njohur. Një pjesë të karrierës sime, rreth dy vite, e kam kaluar në Kurdistan — Irak (2012–2014). Ka qenë një vend në zhvillim, po bëheshin shumë ndërtime. Jeta sociale dhe profesionale ka qenë e këndshme për mua, jam ndjerë e mirëpritur në detaj. Vetëm temperaturat shkonin deri në 60 gradë, dhe kjo e vështirësonte qëndrimin. Jo shumë e bukur për t’u thënë, por e vërtetë: vende të tjera, edhe jo shumë të përparuara, e kanë tregun e punës më të konsoliduar. Mund të punësohesh vetëm nga një aplikim online, nëse plotëson kriteret. Tregu i punës në Shqipëri për mua ishte i padrejtë, por kjo është eksperiencë subjektive — nuk dua ta përgjithësoj. Unë prapë shpresoj për vendin tim dhe uroj të ndryshojë. Eraldo: E dëgjojmë shpesh këtë fenomen në Shqipëri: nepotizmi, miku… Si ka qenë përvoja jote në New York? Stela: Eh, duhet thënë: New York-u është shumë ndryshe. Ka vështirësi, por vështirësia është që duhet të përgatitesh shumë. Punësimi lidhet drejtpërdrejt me aftësitë e individit dhe jo me cilën parti je apo fëmija i kujt je. Procesi fillon dixhitalisht, çka të jep një lloj sigurie. Por New York-u është New York; nuk dua të jem e padrejtë me tregun e punës në Shqipëri. Eraldo: Nëse do t’i rendisje eksperiencat e tua, cila ka qenë më e bukura dhe cila më e vështira? Stela: Ndër eksperiencat më të bukura është New York-u. Tregu i punës më ka sfiduar me retail, sales, office admin, etj. Ke shumë opsione — je ti që zgjedh. Pas kësaj rendis Irakun. Kanë qenë eksperienca të vlefshme dhe më kanë rritur shumë. Nuk dua ta quaj eksperiencë të keqe, por duhet të them të vërtetën: eksperienca jo më e mira ka qenë vendi im . Ndoshta ka qenë koha e gabuar. Eraldo: Le të bëhemi pak më specifik: Ku ndryshon Tirana nga New York-u në tregun imobiliar? Stela: Kjo temë është delikate. Tregu imobiliar në Shqipëri ndryshon radikalisht nga ai në New York. Në Shqipëri, ligji që rregullon këtë profesion lë për të dëshiruar. Ky vakum ligjor prek si klientin, ashtu edhe agjentin. Eraldo: Mund të na japësh një shembull konkret? Stela: Në New York nuk mund të hapë çdokush një agjenci imobiliare — kërkon buxhet, përgjegjësi dhe standarde. Kontratat janë të detajuara dhe sigurojnë palët. Nëse ndodh ndonjë dëm, kompania e zgjidh shpejt dhe klienti është i sigurt. Në Tiranë, shpesh klientët mbeten “në mes të rrugës”, ndërsa agjentët humbasin kredibilitet. Të mendosh që një agjenci merr 40–60% vetëm për databazë dhe zyra — kjo është aspak profesionale. E vetmja e përbashkët Tiranë–NY është rritja e çmimeve. Për ta përmbledhur: Shqipërisë i mungon rregullatori ligjor dhe integriteti i agjencive. Eraldo: Çfarë sugjeron për agjencitë dhe agjentët në Shqipëri? Stela: Për agjencitë: nëse duan biznes solid, të marrin shembuj solidë. Nëse ligji ka vakum — ta mbushin me integritet. Për agjentët: Të informohen mbi ligjin e kontratave. Të trajnohen në komunikim dhe proces. Të njohin terrenin dhe projektet. Të mos dorëzohen. Të bashkëpunojnë me agjenci integriteti. Eraldo: Stela, një pyetje që publiku e ka pasur kuriozitet: Çfarë të lidh ty me Parashqevi Simakun? Stela: Lidhja ime me Parashqevi Simakun ka nisur një vit më parë, kur mamaja ime e takoi rastësisht në Manhattan. Që atëherë kemi krijuar një lidhje shumë të ngushtë. Takohemi shpesh dhe jemi pranë saj. Ajo ka një shpirt të bukur — dhe është kënaqësi ta mbështesim.