Veliu kërkon përgjegjësi për humbjen e LDK-së: Askush nuk ka mandat të përhershëm nga humbja

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu, ka reaguar pas rezultatit zgjedhor të partisë, duke kërkuar përgjegjësi politike dhe reflektim të thellë brenda saj. Në një reagim publik, Veliu ka theksuar se humbjet e njëpasnjëshme të LDK-së nuk janë rastësi, por “verdikt i qartë politik”, duke shtuar se mungesa e reflektimit pas tyre nuk përbën më thjesht gabim, por refuzim të përgjegjësisë. Sipas tij, një parti që synon besimin e qytetarëve nuk mund të sillet sikur humbjet nuk kanë autor, ndërsa mbyllja ndaj kritikës, mungesa e analizës dhe kapja e vendimmarrjes kanë dëmtuar rëndë LDK-në dhe e kanë larguar nga misioni i saj. Veliu ka kërkuar publikisht dhe pa ekuivoke: llogaridhënie politike për humbjet zgjedhore, transparencë të plotë mbi proceset e vendimmarrjes brenda partisë, dhe hapjen e menjëhershme të një procesi demokratik të brendshëm, me garë reale në të gjitha nivelet. “Askush nuk është mbi partinë. Askush nuk ka mandat të përhershëm nga humbja”, ka shkruar ai, duke paralajmëruar se pa reflektim dhe ndryshim, drejtimi aktual i LDK-së nuk mund të mbrohet dhe nuk i shërben të ardhmes së partisë./Telegrafi/