PZAP gjobit Listën Serbe me 45 mijë euro për shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka gjobitur subjektin politik Lista Serbe, me seli në Mitrovicë të Veriut, me 45,000 euro për shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025. Vendimi është marrë pas ankesës së parashtruar nga subjekti politik Kosovski Savez, me seli në Leposaviq, e cila u vlerësua si e bazuar nga PZAP. Sipas vendimit, Lista Serbe është shpallur përgjegjëse për shkelje të Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, mbështetësit e tyre dhe kandidatët gjatë fushatës zgjedhore. Në arsyetimin e vendimit thuhet se për këto shkelje Listës Serbe i është shqiptuar dënim me gjobë në vlerë prej 45 mijë euro. PZAP ka njoftuar gjithashtu se Lista Serbe është e obliguar që gjobën e shqiptuar ta paguajë brenda afatit prej 15 ditësh, nga dita e plotfuqishmërisë së vendimit. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 28 dhjetor 2025, ndërsa PZAP ka trajtuar disa ankesa që lidhen me mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore./Telegrafi.