Një turist, i cili ishte i zënë duke parë telefonin e tij, u rrëzua nga një shteg malor nga një mushkë që i erdhi nga pas në një shteg. Incidenti ndodhi gjatë një ngjitjeje në tempullin Caishen në majën Beigao në Hangzhou të Kinës, transmeton Telegrafi. Pamjet e momentit tregojnë burrin duke qëndruar në buzë të një shkalle të ngushtë prej guri, i ngjitur pas telefonit të tij, ndërsa vizitorë të tjerë lëvizin rreth tij përgjatë shtegut. Ndërkohë, një mushkë që mbante çanta të ngarkuara dhe që drejtohej përpjetë nga një trajner i moshuar, i afrohet turistit të shpërqendruar nga pas, transmeton Telegrafi. Edhe pse mushka nuk bën kontakt të drejtpërdrejtë me burrin, çantat e saj të ngarkesës e godasin atë, duke bërë që ai të humbasë ekuilibrin. Burri shihet duke rrëshqitur përpara se të rrëzohet poshtë shpatit të pjerrët pranë shtegut. Disa vizitorë nxituan ta ndihmonin dhe u thirrën shërbimet e urgjencës. Turisti i plagosur u dërgua me urgjencë në spital për trajtim, megjithëse gjendja e tij nuk është bërë ende e ditur. /Telegrafi/