Analistët kanë deklaruar se programet sociale dhe ofensiva politike e Kurtit sollën fitoren e madhe të Vetëvendosjes. Analisti Sadri Ramabaja ka deklaruar në emisionin Debat Plus se fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhje erdhi si rezultat i fokusimit të saj në tri grupe kyçe të qytetarëve. Sipas Ramabajës, këto grupe janë pensionistët, lehonat dhe fëmijët, të cilët janë përfshirë për herë të parë në mënyrë të strukturuar në politikat qeveritare gjatë mandatit Kurti II. “Tri grupe që i ka prekur fuqishëm dhe i ka trajtuar në mënyrën relativisht më të mirë të mundshme sipas programit socialdemokrat janë: grupi i pensionistëve; pastaj një numër i madh, mbi 200 mijë, i lehonave; dhe shtesat për fëmijë, që janë për herë të parë në Qeverinë Kurti II,” ka thënë Ramabaja, duke shtuar se qeveritë e mëhershme nuk ishin përkushtuar mjaftueshëm ndaj këtyre kategorive. Ndërkohë, analisti Ylli Hoxha ka theksuar se fitorja e Vetëvendosjes në zgjedhjet e 28 dhjetorit është rezultat i punës së vazhdueshme dhe ofensivës politike të liderit të kësaj partie, Albin Kurti. Sipas Hoxhës, Kurti ka punuar për këtë rezultat që nga 9 shkurti e deri në ditën e zgjedhjeve, pa asnjë ndërprerje. “Kurti ka qenë aktori politik që ka treguar zell për të luftuar për pozicionin e vet. Prej 9 shkurtit e deri dje kurrë nuk u nal, gjithmonë ka pasur ofensivë politike. Asnjë javë nuk ka kaluar pa veprim,” ka deklaruar ai. Në anën tjetër, analisti Astrit Gashi ka folur për ndëshkimin elektoral të opozitës, duke e lidhur atë me qasjen e saj ndaj Lëvizjes Vetëvendosje. Gashi ka hedhur poshtë pretendimet se opozita, në veçanti Lidhja Demokratike e Kosovës, ka qenë e butë ndaj Vetëvendosjes. “Në rastin e LDK-së kjo është krejtësisht e pasaktë,” ka deklaruar ai, duke shtuar se ndëshkimi i kësaj partie ka ardhur pikërisht për shkak të qëndrimit të saj opozitar ndaj Vetëvendosjes. Sipas Gashit, votuesi i LDK-së e ka ndëshkuar partinë e vet për shkak të mosbashkëpunimit me Vetëvendosjen, duke e reflektuar këtë pakënaqësi përmes votës. Derisa analisti Visar Ymeri ka kritikuar partitë opozitare, duke thënë se opozita nuk bëhet vetëm vitin e fundit, por duhet të jetë aktive gjatë gjithë mandatit. “Opozitarizmi nuk bëhet vetëm vitin e fundit ose pak para zgjedhjeve. Ti badihava bën opozitarizëm para zgjedhjeve nëse nuk ke bërë gjatë tërë kohës,” ka thënë ai, duke e krahasuar me periudhën kur Vetëvendosje ishte në opozitë. Ai ka shtuar se sa i përket ligjeve që opozita i ka dërguar në Gjykatë, kjo është formë e opozitarizmit të duhur, por sipas tij “nuk është i dukshëm”. “Unë mendoj që një prej të metave që kanë, e kanë pasur – tash besoj që e ndryshojnë – partitë opozitare, nuk kanë qenë domosdoshmërisht vendimet dhe qëndrimet që i kanë mbajtur, por ka qenë mungesa e interesimit të tyre të duhur për t’i paraqitur ato në publik dhe për t’i bërë të besueshme për publikun,” ka thënë Ymeri./Telegrafi/ - YouTube youtu.be