Barcelona e konsideron yllin e Man Cityt si zëvendësues të Marcus Rashfordit

Gjiganti i La Ligës, Barcelona ka identifikuar një emër nga reparti ofensiv i Manchester Cityt të Pep Guardiolës si objektiv të mundshëm për sezonin e ardhshëm. Sipas raportimeve, në radarët e drejtuesve të klubit nga “Camp Nou” ka përfunduar braziliani Savinho. Barcelona, gjatë verës, e ka përforcuar repartin ofensiv me huazimin e Marcus Rashford nga Manchester United. Megjithatë, Deco dhe drejtuesit e tjerë të klubit nuk janë ende të bindur për ta bërë të përhershëm transferimin e sulmuesit anglez. Për shkak të kufizimeve të vazhdueshme financiare në kryeqytetin katalunas, klubi ka përgatitur një listë alternative për sezonin e ardhshëm. Sipas “Fichajes”, emri që bie më shumë në sy në këtë listë është pikërisht Savinho. “Emri që i pëlqen më shumë FC Barcelonës është Savinho. Anësori 21-vjeçar është në pronësi të Manchester Cityt dhe përputhet plotësisht me profilin që klubi kërkon për nga mosha, karakteristikat dhe potenciali”. Në fazën fillestare, Barcelona shpreson të përfitojë nga mungesa e minutave të brazilianit në Manchester, për të realizuar një marrëveshje huazimi për shërbimet e tij. Savinho shihet si një opsion afatgjatë për krahët e sulmit, ndërsa vendimi përfundimtar do të varet nga situata financiare dhe zhvillimet rreth Rashfordit në muajt në vijim./ Telegrafi