Helmimi nga ushqimi gjatë festave të fundvitit: Nga bakteret shkaktare deri te trajtimi mjekësor

Çfarë duhet të dini për trajtimin e saktë dhe parandalimin e helmimit ushqimor gjatë festave Dr. Erëza Y. Durmishi, PhD Candidate- Mjekësi Klinike Helmimi nga ushqimi është dukshëm më i shpeshtë gjatë sezonit të festave të fundvitit dhe kjo nuk është rastësi. Çdo vit gjatë kësaj periudhe vërehet rritje e ndjeshme e rasteve me gastroenterit akut, që lidhen drejtpërdrejt me mënyrën e përgatitjes, ruajtjes dhe konsumimit të ushqimit. Vaktet e mëdha familjare, mishrat e shpendëve të papërpunuar ose të gatuar jo mjaftueshëm, frigoriferët e tejmbushur, ushqimi i ekspozuar për orë të tëra në bufe festive dhe përgatitja paraprake e ushqimeve krijojnë kushte ideale për kontaminim bakterial. Shkaktarët më të shpeshtë bakterialë të helmimit ushqimor janë Salmonella dhe Campylobacter, të pranishme kryesisht në mishin e shpendëve, por gjithashtu Escherichia coli dhe Listeria monocytogenes, veçanërisht të rrezikshme për gratë shtatzëna, të moshuarit dhe personat me imunitet të dobësuar. Këta patogjenë shumohen me shpejtësi kur ushqimi qëndron në temperatura ndërmjet 8°C dhe 60°C, e ashtuquajtura “zonë rreziku” për sigurinë ushqimore. Në të njëjtën kohë, kjo periudhë karakterizohet edhe nga qarkullimi intensiv i viruseve respiratore dhe gastrointestinale, të cilat përhapen lehtësisht në ambiente me grumbullime njerëzish. Larja e shpeshtë e duarve mbetet një nga masat më efektive parandaluese, si për infeksionet virale ashtu edhe për helmimet ushqimore. Si zhvillohet helmimi ushqimor në organizëm? Pas konsumimit të ushqimit të kontaminuar, bakteret ose toksinat që ato prodhojnë dëmtojnë mukozën e traktit gastrointestinal. Ky proces shkakton inflamacion akut të zorrëve, rritje të sekrecionit të lëngjeve dhe çrregullim të përthithjes së elektroliteve. Si pasojë, shfaqen diarre, të vjella dhe dhimbje abdominale. Në rastet më të rënda, humbja e shpejtë e lëngjeve çon në dehidratim, i cili mund të jetë veçanërisht i rrezikshëm për fëmijët e vegjël, të moshuarit dhe personat me imunitet të dobësuar. Është e rëndësishme të theksohet se jo çdo episod diarreje gjatë festave është me origjinë bakteriale. Infeksionet virale gastrointestinale zakonisht kanë ecuri më të shkurtër dhe më pak komplikime, ndërsa infeksionet bakteriale shoqërohen më shpesh me temperaturë të lartë, dhimbje të forta abdominale dhe diarre më të rëndë. Simptomat më të shpeshta Helmimi nga ushqimi zakonisht shfaqet brenda disa orëve deri në dy ditë pas konsumimit të ushqimit të kontaminuar. Simptomat më të shpeshta përfshijnë: të përziera dhe të vjella diarre të shpeshtë, ndonjëherë me mukus ose gjak dhimbje dhe krampe abdominale temperaturë lodhje të theksuar dhe ndjenjë dobësie shenja dehidratimi (gojë e thatë, urinim i rrallë, marramendje) Ngrohja e ushqimit të mbetur - rrezik i dyfishtë Ngrohja e ushqimit të gatuar më parë jo vetëm rrit rrezikun e helmimit ushqimor, por mund të shkaktojë edhe shqetësime të theksuara të tretjes. Ushqimet e pasura me karbohidrate, si patatet, orizi dhe mbushjet festive, pas ftohjes dhe ringrohjes formojnë të ashtuquajturën niseshte rezistente, e cila nuk tretet lehtë dhe fermentohet në zorrën e trashë, duke shkaktuar fryrje, gazra dhe dhimbje, sidomos te personat me sindromë të zorrës së irrituar. Nga ana tjetër, nëse ushqimi ringrohet vetëm pjesërisht (mbi 8°C, por nën 63°C), krijohen kushte ideale për shumimin e baktereve patogjene. Për këtë arsye, ushqimi i ringrohur duhet të jetë plotësisht i nxehtë dhe të nxjerrë avull në çdo pjesë të tij. Ruajtja dhe ringrohja e sigurt e ushqimit Mbetjet e ushqimit duhet të futen në frigorifer brenda dy orëve nga gatimi dhe të ruhen në temperaturë ndërmjet 0 dhe 4°C. Gjatë festave, frigoriferët shpesh mbingarkohen, çka rrit temperaturën e brendshme dhe ul sigurinë ushqimore. Ushqimi i mbetur duhet të konsumohet brenda 2-3 ditësh ose të ngrihet. Nëse ringrohet, duhet të jetë plotësisht i nxehtë dhe të nxjerrë avull në çdo pjesë të tij. Trajtimi i helmimit ushqimor Trajtimi i helmimit ushqimor është kryesisht simptomatik dhe mbështetës, me fokus në parandalimin e komplikimeve. 1. Rehidratimi – hapi më i rëndësishëm Qëllimi kryesor është zëvendësimi i lëngjeve dhe elektroliteve të humbura. Rekomandohet: pirja e ujit në gllënjka të vogla, por të shpeshta përdorimi i tretësirave rehidratuese orale shmangia e pijeve të gazuara dhe alkoolit 2. Dieta e lehtë Pas qetësimit të simptomave akute, këshillohet konsumimi i ushqimeve të lehta dhe të tretshme (oriz i bardhë, banane, supë e thjeshtë), duke shmangur ushqimet yndyrore, pikante dhe të rënda. Në disa raste, përdorimi i probiotikëve mund të ndihmojë në rivendosjen më të shpejtë të florës intestinale, por ata nuk zëvendësojnë rehidratimin dhe nuk përbëjnë terapi specifike për helmimin ushqimor. 3. Medikamentet Antidiarreikët përdoren me kujdes dhe vetëm në raste të caktuara. Antibiotikët nuk rekomandohen rutinë, pasi shumica e helmimeve ushqimore janë vetëkufizuese dhe shpesh shkaktohen nga toksina bakteriale. Vetë-mjekimi me antibiotikë pa indikacion të qartë mjekësor mund të përkeqësojë ecurinë klinike dhe të kontribuojë në rezistencën bakteriale. 4. Pushim dhe monitorim Trupi ka nevojë për pushim për t’u rikuperuar, ndërsa gjendja duhet monitoruar për shenja përkeqësimi. Kur duhet kërkuar ndihmë mjekësore? Ndihma mjekësore është e domosdoshme nëse: temperatura kalon 38.5°C shfaqet gjak në jashtëqitje ka shenja dehidratimi të rëndë simptomat zgjasin më shumë se 2–3 ditë pacienti është fëmijë i vogël, i moshuar, shtatzënë ose me sëmundje kronike Parandalimi mbetet mbrojtja më e mirë Siguria ushqimore bazohet në katër shtylla kryesore: pastrimi, ndarja, gatimi i plotë dhe ftohja e shpejtë. Ushqimi i gatuar nuk duhet të qëndrojë jashtë frigoriferit më shumë se dy orë, ndërsa mbetjet duhet të ruhen dhe konsumohen sipas rregullave të sigurisë. Festat duhet të jenë kohë gëzimi, jo arsye për komplikime shëndetësore. Pak kujdes, higjienë dhe vëmendje ndaj detajeve mund të bëjnë dallimin mes një feste të qetë dhe një urgjence të panevojshme mjekësore. /Telegrafi/