Rritja e fundit e çmimit të energjisë elektrike nuk mund të shmangej, thotë kryetari i Komisionit Rregullator të Energjisë, Marko Bislimoski, në një intervistë për “360 Gradë”. Sipas Bislimoski-t, duhet të tregohet mirëkuptim për “Elektranat e Maqedonisë së Veriut” (EMV) sepse kompania shtetërore, siç thotë ai, duhet të qëndrojë në këmbë të shëndosha. Nga janari do të shtrenjtohet energjia elektrike në Maqedoni "Në atë pjesë ku rregullojmë çmimet, në pjesën e tarifave të rrjetit, ulëm çmimin për transmetim dhe shpërndarje dhe në tërësi e ulëm me 5 përqind sepse kishte hapësirë për ta ulur. Ulëm edhe çmimin e MEPSO-s, ulëm edhe çmimin e ‘Electrodistribucija’, ulëm edhe çmimin e MEMO-s. Në pjesën e EMV-së, të gjithë duhet të tregojmë mirëkuptim. Situata është e vështirë, EMV po operon me humbje, ndërsa EMV është një kompani kyçe në sektorin e energjisë. Për EMV-në, pavarësisht nëse do të mbijetojë apo jo, nuk kemi një skenar B. EMV duhet të qëndrojë në këmbë të shëndosha, EMV duhet të rrisë prodhimin e energjisë elektrike, por duhet ta shohim me kujdes EMV-në jo vetëm si një kompani prodhimi, por edhe si një kompani që, përveç prodhimit të energjisë elektrike, shet edhe energji elektrike", tha Bislimoski. Kur u pyet nëse termocentralet shtetërore mund të kishin mbetur në 62 euro për megavat-orë, çmimi me të cilin ia kanë shitur energjinë elektrike furnizuesit universal EVN Home, dhe jo ta kishin rritur atë në 65 euro, Bislimoski tha se nëse çmimi do të kishte mbetur i njëjtë, situata do të ishte përkeqësuar./Telegrafi/