Barcelona përballet me vështirësi në gjetjen e zëvendësuesit të Christensen

Barcelona vazhdon të hasë pengesa në përpjekjet për të përforcuar repartin defensiv, ndërsa kërkimi për një zëvendësues të Andreas Christensen po rezulton më i ndërlikuar se sa pritej. Manchester City nuk është i gatshëm të lehtësojë largimin e Nathan Akes, ndërsa Interi do të shqyrtojë shitjen e Stefan de Vrij vetëm pasi të sigurojë një alternativë të besueshme. Christensen, 29 vjeç, pësoi një këputje të pjesshme të ligamentit të kryqëzuar anterior në gjurin e majtë dhe pritet të mungojë për disa muaj, duke detyruar drejtuesit katalanas të dalin në treg për një mbrojtës qendror. Ditët e fundit, drejtori sportiv i Barcelonës ka shqyrtuar seriozisht profilin e Nathan Akes. Mbrojtësi 30-vjeçar i Manchester City-t shihet si një opsion ideal falë përvojës dhe fleksibilitetit të tij, por negociatat duken të vështira. Edhe pse City po konsideron mundësinë e largimit, klubi anglez do të kërkonte një shumë mes 15 dhe 20 milionë eurove, ndërsa paga e lojtarit paraqet një tjetër problem për Barcelonën, e cila vazhdon të jetë e kufizuar nga situata e saj financiare. telegrafi.com Pikërisht për këto arsye, sipas Mundo Deportivo , Barcelona po vazhdon të eksplorojë alternativa të tjera. Një prej tyre është Stefan de Vrij, i cili aktualisht ka një rol dytësor te Interi. Mbrojtësi holandez, 33 vjeç, do të ishte i hapur për një transferim në janar dhe, me kontratën që i skadon në qershor, kostoja e transferimit të tij do të ishte teorikisht e përballueshme. Megjithatë, Interi nuk ka ndërmend ta lëshojë lehtë De Vrij-in. Klubi zikaltër ka bërë të qartë se do t’i japë dritën jeshile largimit të tij vetëm nëse siguron më parë një zëvendësues të besueshëm. Në këtë kontekst, emra si Mario Gila (Lazio) dhe Tarik Muhamerović (Sassuolo) përmenden si alternativa të mundshme për mbrojtjen e Interit. /Telegrafi/