Me numërimin e rreth 30 për qind të kutive të votimit, kanë dalë në dritë shifrat e para për kandidatin e LDK-së, Lumbardh Salihu. Deri në këtë fazë të procesit, Salihu ka grumbulluar rreth 1200 vota. Ky rezultat tregon një ecuri sfiduese për ish-fituesin e Big Brother, i cili po garon për një ulëse në Kuvendin e Kosovës nën siglën e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pas publikimit të rezultateve të para, Salihu ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke falënderuar qytetarët për mbështetjen e dhënë. “Qytetarë të dashur, faleminderit për përkrahje. E kuptoj që rezultati nuk është i kënaqshëm, por unë nuk do të ndalem". "Do të vazhdoj të kontribuoj me zemër për vendin tim dhe atë vetëm përmes LDK-së. Respekt”, ka shkruar ai. Procesi i numërimit të votave vazhdon, ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të sjellin një pasqyrë më të qartë për garën elektorale. /Telegrafi/