Aktakuzë për krime lufte ndaj S.A., me propozim për gjykim në mungesë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj S.A. për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”. I pandehuri S.A., akuzohet se gjatë periudhës 1998-1999, në fshatin Llashticë, komuna e Gjilanit, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të forcave policore, paramilitare dhe ushtarake serbe, ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar. Sipas aktakuzës, më 30.04.1999, rreth orës 13:00, S.A, ka marrë pjesë në vrasjen e 13 civilëve dhe në plagosjen e katër personave të tjerë. “Ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri e ka ekzekutuar viktimën H.H duke e qëlluar me armë zjarri në kokë, e më pas e ka urdhëruar një person tjetër që të shtinte me armë zjarri në drejtim të civilëve të tjerë, duke i ekzekutuar ata një nga një”, thuhet në njoftim. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bazë të neneve 234 dhe 303 të Kodit të Procedurës Penale, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë mbajtjen e gjykimit në mungesë, meqenëse i pandehuri S.A është i paarritshëm për organet e drejtësisë. /Telegrafi/