Kampi i Anthony Joshuas lëshon deklaratë për aksidentin që mori jetën e dy miqve të tij të ngushtë

Kampi i Anthony Joshuas ka reaguar zyrtarisht pasi boksieri anglez u lëndua në një aksident të rëndë automobilistik në Nigeri, aksident që për fat të keq mori jetën e dy personave shumë të afërt me të. Përplasja fatale ndodhi të hënën, më 29 dhjetor, rreth orës 12:00 sipas kohës lokale, në një nga rrugët më të frekuentuara dhe më të rrezikshme të Nigerisë, e cila lidh Lagosin me pjesë të tjera të vendit. Joshua pësoi lëndime të lehta dhe u dërgua në spital për kontrolle, ku gjendja e tij raportohet të jetë e qëndrueshme. Viktimat e aksidentit janë identifikuar si Sina Ghami, trajneri i forcës dhe përgatitjes fizike të Joshuas, si dhe Kevin “Lateef” Ayodele, trajneri i tij personal, i njohur edhe si “Latz”. Të dy konsideroheshin pjesë kyçe e ekipit dhe miq shumë të afërt të boksierit. Në një deklaratë të lëshuar në emër të Joshuas, kampi i tij konfirmoi humbjen tragjike dhe kërkoi privatësi për familjet e prekura. “Me dhimbjen më të thellë konfirmojmë se, pas një aksidenti rrugor në Lagos, Nigeri, humbën jetën Sina Ghami dhe Kevin ‘Lateef’ Ayodele. Të dy ishin miq të ngushtë dhe pjesë thelbësore e ekipit të Anthonyt. Kërkojmë me respekt hapësirë dhe privatësi për familjet e tyre në këtë moment jashtëzakonisht të vështirë. Anthony pësoi lëndime dhe ndodhet në spital për trajtim dhe vëzhgim, në gjendje të qëndrueshme”, thuhet në njoftim. Eksperti i boksit në BBC, Steve Bunce, i përshkroi Ghami dhe Ayodele si “dy nga miqtë më të afërt të Joshuas” dhe si pjesë të rëndësishme të suksesit të tij profesional. Një i afërm i familjes së Joshuas në Nigeri, i cili kërkoi të mbetet anonim, deklaroi për BBC se lajmi ishte një “tronditje e madhe”, duke shtuar se familja po lutet për shërimin e shpejtë të Anthonyt dhe për prehjen e të ndjerëve. Ngushëllime publike ka shprehur edhe promotori Eddie Hearn, i cili konfirmoi gjendjen stabile të Joshuas dhe kërkoi respektim të privatësisë së familjeve të prekura. /Telegrafi/