“Ishte pothuajse pa shenja jete… pas 45 minutash hapi sytë dhe dhuroi buzëqeshje”. Këto fjalë përmbledhin momentet dramatike të një fluturimi transatlantik nga Vjena drejt New York-ut, ku një akt humanizmi i një kosovari u kthye në mrekulli. Protagonist është Malë Dautaj, mjek nga Peja, i cili me profesionalizëm dhe guxim arriti të shpëtojë jetën e një të riu amerikan. Në aeroplanin e mbushur me udhëtarë, mjeku nga Kosova u gjend në këtë situatë emergjente gjatë një fluturimi, e para që i kishte ndodhur në jetë. Këtë përvojë të jashtëzakonshme, që ai e përjetoi me përgjegjësi të madhe, por edhe me krenari profesionale, Malë Dautaj, e ndau në një rrëfim. Ai tregoi fillimisht momentin kur u kërkua ndihmë për pasagjerin, gjendja shëndetësore e të cilit po përkeqësohej me shpejtësi dhe pothuajse ishte pa shenja jete. “Rreth orës 16:00 pasdite, gjatë fluturimit mbi oqean, në aeroplanin e Vjenës duke shkuar në Nju Jork, kam vërejtur një situatë emergjente në mes të kabinës. Një djalë kishte filluar të përkeqësohej dhe u kërkua menjëherë ndihmë.” Në ato çaste kritike, Dautaj iu afrua pacientit dhe e kuptoi menjëherë seriozitetin e gjendjes së tij. “U afrova pranë pacientit dhe vërejta se në ato momente ishte i shtrirë, pothuajse pa shenja jete. Fillimisht e tërhoqëm drejt pjesës së përparme të aeroplanit, ku u shtri për të mundësuar ndërhyrje më të sigurt.” Përballë një situate ku çdo sekondë ishte vendimtare, përgjegjësia që mori mbi vete ishte jetike për fatin e të riut amerikan. Ai rrëfeu tutje se intervenimi ishte i domosdoshëm për ta kthyer pacientin në jetë. Ndërhyrjen e realizoi me pajisjet personale që kishte me vete, si dhe me mjetet e ofruara nga ekuipazhi i avionit. “Vrapova për të marrë mjetet nga çanta ime personale dhe më pas kërkova nga ekuipazhi çantat me pajisjet e nevojshme. Me ndihmën e një djalit që më asistoi gjatë gjithë kohës, filluam trajtimin emergjent. Ishte një përgjegjësi shumë e madhe, por ishte e domosdoshme ta kthenim pacientin në jetë, përndryshe situata do të ishte fatale”, tha ai për Klan Kosovën. Përpjekjet zgjatën pothuajse një orë dhe falë reanimimit të pandërprerë dhe përkushtimit maksimal, i riu buzëqeshi. Momentet e rikthimit në jetë të tij u shoqëruan me duartrokitje nga pasagjerët, ndërsa për mjekun nga Kosova me 27 vjet përvojë pune, ky ishte shpërblimi më i madh emocional dhe profesional. “Vura re se pacientit i mungonte oksigjeni. Pas rreth 45 minutash reanimimi dhe ndërhyrjeje të vazhdueshme, pacienti hapi sytë dhe dhuroi buzëqeshjen e parë, moment që ishte jashtëzakonisht prekës. Pas kësaj, duartrokitjet që mora, ishin vërtetë impresionuese, pasi ishte hera e parë që bëra një veprim të tillë në aeroplan. U ndjeva me të vërtetë i lumtur” – përfundoi Dautaj rrëfimin.