Pogradec: 70-vjeçari akuzohet për abuzim seksual ndaj 12-vjeçares, e mitura rezulton shtatzënë

Një 70-vjeçar nga Pogradeci, Rushan Selko, është vënë nën akuzë për përdhunimin e një vajze 12-vjeçare, e cila sipas mjekëve rezulton rreth 22 javëshe shtatzënë. Rasti është zbuluar pasi prindërit e të miturës kanë vënë re ndryshime fizike tek vajza dhe e kanë dërguar atë për ekzaminime mjekësore, ku u konfirmua shtatzënia. Më pas, ngjarja është denoncuar dhe kanë nisur procedurat hetimore. Sipas informacioneve paraprake dhe dëshmive të familjarëve të vajzës, mes dy familjeve kishte marrëdhënie të afërta shoqërore dhe nuk kishte pasur dyshime për ndonjë sjellje të papërshtatshme. Banesat e të miturës dhe të dyshuarit ndodhen pranë njëra-tjetrës, ndërsa vajza lejohej të shkonte shpesh në dyqan për të ndihmuar familjen e tij. Burime hetimore bëjnë me dije se i dyshuari e ka kërcënuar vazhdimisht të miturën për të mos treguar ngjarjen. Vajza ka pranuar çfarë ka ndodhur në prani të një psikologu, ndërsa familjarët janë marrë në pyetje nga autoritetet. Familja e 12-vjeçares është shprehur jashtë kamerave se pret që drejtësia të veprojë, duke theksuar se ndodhet në gjendje të rënduar emocionale dhe se ndjehet e tronditur nga ngjarja. Ndërkohë, një e afërme e të dyshuarit, Zybe Selko, gruaja e kushëririt të tij, ka deklaruar se nuk kishte dijeni për rastin dhe se nuk kishte dëgjuar më parë ankesa apo fjalë të këqija për të. “Ai njihej si njeri i mirë në fshat, familjar dhe baba i katër vajzave. Unë u trondita kur e mora vesh, nuk kisha informacion për këtë ngjarje,” është shprehur ajo. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë nga organet kompetente, raporton Panorama.